Prej 10 ditësh, kompanitë e basteve kanë mbyllur dyer, duke mos lejuar asnjë lojtar brenda territorit të Shqipërisë të parashikojë garat sportive. Por, një gjë e tillë nuk është parashikuar të bëhet në shtetet e tjera, diçka që ka rezultuar mjaft e suksesshme për një lojtar anglez.

Ai kishte parashikuar fitoren e thellë të Manchester City kundër Burton në Kupën e Ligës, si dhe autorin e golit të parë, në fitoren që "Qytetarët" regjistruan përballë modestëve anglez.

Phil Hampson parashikoi fitoren 9-0 të Cityt, si dhe goditi në shenjë te autori i golit të parë. Në skedinën e tij, ku hodhi vetëm 21 paund, Hampson shënoi Kevin de Bruyne si autor të golit të parë dhe belgu nuk e zhgënjeu. Goditja me kokë e mesfushorit i hapi udhë fitores 9-0 dhe në xhepin e Hampson "përfunduan" plot 8.196 paund.

"Faleminderit Kevin për golin e parë dhe faleminderit Riyad për golin e fundit. Fitore e bukur, "shkruan Hampson në rrjetet sociale.

Ndeshja e dytë e Cityt kundër Burton do të zhvillohet më 23 janar në stadiumin "Pirelli".