Debutimi i ëndërruar dhe Shqipëria beson!

Edi Reja ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme në shtëpi, me fitore. Të besuarit e tij likujduan pastër 2-0 Moldavinë. Edhe pse në pamje të parë një takim i lehtë në letër, kuqezinjtë tanë vuajtën shumë për të gjetur golin ndaj një kundërshtari që kishte zbritur në "Elbasan Arena" vetëm për turizëm.

Me pjesën e parë që u mbyll me rrjeta të paprekura, pavarësisht rasteve sporadike nga të dy skuadrat, fraksioni i dytë ndryshoi totalisht fytyrën e tanëve. Aktivizimi i Cikalleshit dhe Roshi në vend të Sadikut e Lenjanit dha frytet e duhura. Ishte pikërisht kjo dyshe, që në bashkëpunim me njëri-tjetrin tundën rrjetën kundërshtare. Inkursioni i shpejtë i fierakut dhe fati në anën e tij nxorën të lirë kavajasin, i cili nga fare pranë portës nuk fali.

Një episod që çliroi kuqezinjtë, që nisën të administronin lojën. Moldavia u mundua të reagojë, por më kot, pasi centrimetrat e Mavraj dhe eksperienca e Hysaj e Veselit bllokuan gjithçka. Kur u duk se gjithçka po mbyllej në një avantazh minimal të kuqezinjve, Ylber Ramadani realizoi një nga golat më të bukur në karrierën e tij.

23 vjeçari lëvizi mjaft mirë në zemër të mbrojtjes mike dhe në hyrje të zonës goditi bukur me të djathtën, për të dërguar në delir tifozët kuqezi. Topi në rrjetë dhe 3 pikëshi është i Shqipërisë. Një fitore që ngjall shpresat e kuqezinjve për një biletë Europiane në vitin 2020.

Fitoret e Francës dhe Islandës i japin shpresa të mëdha, pasi gjendet vetëm 3 pikë larg kësaj dysheje dhe Turqisë, që mban vendin e dytë me 9 pikë, aq sa "gjelat" dhe ishullorët. Takimi i ardhshëm është ndaj Francës, por deri atëherë, Reja ka nisur të njoh grupin, i cili duket se ka rilindur nën drejtimin e 73 vjeçarit.

Klikoni këtu për të parë FOTOGALERINË





"Live" te gjithë rastet dhe momentet pikante të ndeshjes   

90+2' Ylber Ramadani vulos gjithçka. Shënon për 2-0



90' Akordohen 5 minuta shtesë


83' Kaçe lë fushën e lojës, Qose merr vendin e tij

Përjetimi i golit të Cikalleshit në "Elbasan Arena"




66'Roshi i papërmbajtshëm, Cikalleshi dërgon në delir kuqezinjtë



58' Zëvendësim dysh te kuqezinjtë, Cikalleshi merr vendin e Sadikut, Roshi zë vendin e Lenjanit


46' Nis pjesa e dytë

Mbyllet pjesa e parë: Kombëtarja jonë e futbollit nuk shkoi më shumë se një barazim 0-0 në 45 minutëshin e parë ndaj Moldavisë. Takimi i cili po zhvillohet në "Elbasan Arena" prodhoi vetëm disa raste sporadike. Me rikthimin në fushë, kuqezinjtë duhet të djersijnë akoma dhe më shumë nëse dëshirojnë që të dalin me pikë të plota nga ky duel.

45' Nuk akordohet asnjë minutë shtesë: 

36' Aksion i gjatë i kuqezinjve. Topi shkon te Sadiku, por sulmuesi zihet në pozicion jashtë loje

24' Sadiku tenton të befasojë kundërshtarët, godet nga vendi, por ndalet nga portieri mik. Aksionin e vijon Lenjani, por goditja e tij ndalet nga mbrojtja.

18' Abrashi kërkon të kërcënojë portën kundërshtare, godet nga jashtë zone, por sfera përfundon jashtë

3' Drithërima në portën e Berishës. Sulmuesi mik kalon gjithë mbrojtjen, por neutralizohet nga gardiani kuqezi



1' Nisin drithërimat në "Elbasan Arena". Topin e parë nga qendra e nisin miqtë

Formacioni zyrtar:

/Ora News.tv/