Pas Bankës Botërore, edhe Fondi Monetar Ndërkombëtar përmirësoi parashikimin për rritjen ekonomike të Shqipërisë. Në raportin e fundit, FMN vlerëson se prodhimi kombëtar i vendit do të rritet me 4 përqind në fund të këtij viti, nga 3.7 përqind që ishte vlerësimi i mëparshëm.

 Rishikimi me rritje vjen pas ecurisë së mirë ekonomike në gjysmën e parë të vitit, e cila u udhëhoq nga performanca e lartë e sektorit energjetik. E ndërsa parashikimi për këtë vit është optimist, vitin që vjen FMN pret një ngadalësim të rritjes ekonomike.

Fondi parashikon se në 2019-ën rritja e ekonomisë shqiptare pritet të ngadalësohet në 3.7 përqind e kushtëzuar kryesisht nga përfundimi i dy investimeve të mëdha, Gazsjellësi Transadriatik dhe kaskada e Devollit.

Në raport me shtetet e tjera të rajonit, Shqipëria pritet të jetë ndër vendet që do të kenë zgjerim më të përshpejtuar ekonomik, më mirë se Bosnja (3.2%), Bullgaria (3.6%), Kroacia (2.8), Serbia (3.5), Mali i Zi (3.7%) dhe njësoj me Kosovën dhe Serbinë.

Fondi të martën parashikoi një zgjerim global prej 3.7 përqind këtë vit dhe tjetri, poshtë nga 3.9 përqind të parashikuar tre muaj më parë. Ishte rënia e parë që nga korriku 2016.

Ndërsa ekonomia botërore është ende në rrugën e duhur për të arritur ritmin e vitit të kaluar, që ishte më i fuqishmi që nga viti 2011, perspektiva e re sugjeron se performanca e përgjithshme është ndikuar nga Lufta tregtare e SHBA, si dhe nga dobësitë në rritje në tregjet në zhvillim nga Brazili në Turqi.

Fondi la parashikimin e tij të vitit 2018 të SHBA të pandryshuar, por uli pritshmërinë e tij për vitin e ardhshëm, duke përmendur ndikimin e konfliktit tregtar.

/Ora News.tv/