Futja e biznesit të vogël në TVSH ka rënduar administratën tatimore si dhe ka shtuar kostot e bizneseve. Fondi Monetar në një raport të fundit për asistencën teknike dhe administrimin e të ardhurave ka theksuar se kjo lëvizje nuk ka sjellë asnjë efekt pozitiv as për të ardhurat në buxhet. Gjithashtu në raport kërkohet që të gjendet një zgjidhje sa më parë për vonesat në rimbursimin e TVSH-së.

Fondi Monetar Ndërkombëtar e vlerëson të gabuar futjen në TVSH të biznesit të vogël. Në një raport të fundit theksohet se ulja e pragut të TVSH-së për bizneset nga 5 në 2 mln nuk ka ndikuar në rritjen e të ardhurave në buxhet.

Madje sipas  FMN ky ndryshim ka komplikuar punën e administratës tatimore si dhe ka shtuar kostot administrative të bizneseve të vogla. Si rezultat i ndryshimit, në skemën e TVSH u përfshinë rreth 13 mijë biznese të cilat e kundërshtuan këtë vendim e madje organizuan edhe një sërë protestash por që nuk u morën parasysh nga qeveria shqiptare.

Ndryshimi u argumentua prej qeverisë me betejën ndaj informalitetit në vend. Gjithashtu në raport kërkohet që të gjendet një zgjidhje edhe për vonesat e rimbursimit të TVSH-së për bizneset.

Sipas të dhënave të Fondit Monetar Ndërkombëtar deri në tetor të viti të kaluar detyrimet e prapambetura vetëm për këtë zë arrijnë në 14.4 mld lekë. Ky shqetësim është ngritur edhe më herët nga Fondi Monetar Ndërkombëtar.

/Ora News.tv/