Fondi Monetar Ndërkombëtar vijon të kritikojë qeverinë në lidhje me projektet e investimeve PPP.Në raportin e publikuar së fundmi theksohet se Ministria e Financave duhet të shtojë rolin e saj mbikqyrës ndaj këtyre projekteve që paraqesin rrezik për buxhetin. Por pavarësisht kësaj situate, qeveria nuk e miratoi ligjin i cili parashikon heqjen e ofertave të pakërkuara në infrastrukturë. FMN ngre si shqetësim emigrimin, largimin e profesionistëve nga vendi si dhe plakjen e popullësisë.

Projektet Partneritet Publik Privat mbeten një nga shqetësimet kryesore të ngritura nga Fondi Monetar Ndërkombëtar për ekonominë shqiptare.

Në shqyrtimin e raportit të programit të monitorimit ky institucion thekson se këto projekte rrisin detyrimet financiare dhe si rrjedhojë kërkon që të bëhet kujdes si dhe të kufizohen rreziqet nga PPP-të dhe detyrimet e tjera.

FMN i kërkon Ministrisë së Financave që të bëjë kujdes në miratimin e projekteve të reja, të shtojë analizat dhe kontrollet në lidhje me efektet reale të tyre.

Projektet PPP vlerësohen si një rrezik i shtuar në një moment që borxhi publik mbetet i lartë, ndërsa investime të tilla po i afrohen limitit të vendosur nga buxheti i shtetit prej 5%.

Këto paralajmërime vijnë në një kohë që qeveria shqiptare ka shtyrë miratimin e ligjit, i cili parashikonte që të mos pranoheshin më oferta të pakërkuara për projektet në infrastrukturë që prej 1 korrikut.

Parlamenti ka zvarritur miratimin e këtij projektligji, ndërsa nuk është dhënë asnjë argument zyrtar për arsyet.

Fondi Monetar Ndërkombëtar thekson ndër të tjera se problem për ekonominë shqiptare mbetet emgrimi sidomos i punonjësve të kualifikuar si dhe plakja e popullsisë.

Ndërsa pritshmëritë për ecurinë ekonomike gjatë këtij viti janë më të vogla se një vit më parë.

Pas INSTAT dhe Bankës së Shqipërisë, edhe FMN parashikon që ekonomia shqiptare nuk do e tejkalojë nivelin prej 3.5%.

/Ora News.tv/