Dyndje drejt bregdetit, gjatë 24 orëve nga Morina kanë hyrë 25 mijë pushues

Mijëra pushues dhe qindra makina dhe autobusë këtë fundjavë i janë drejtuar bregdetit të Shqipërisë, për të kaluar fundjavën dhe pushimet verore.

Nga të dhënat, bëhet e ditur se numri më i lartë i shtetasve që kanë hyrë në Shqipëri përmes Morinit ka qenë nga Kosova, por ka pasur edhe nga Maqedonia dhe Mali i Zi.

Sipas të dhënave të policisë së Kufirit, vetëm në 24 orët e fundit kanë hyrë në Shqipëri më shumë se 25 mijë persona.

Të dhënat nga pika doganore flasin për rreth 6 mijë automjete. Vetëm në orët e para të ditës së dielë, në Morinë kanë kaluar rreth 19 mijë persona.

Për të përballuar situatën dhe evituar krijimin e radhëve në kufirin mes Shqipërisë dhe Kosovës, uniformat blu të Policisë Kufitare kanë punuar me 8 sportele për të përpunuar sa më shpejt dokumentacionin e personave dhe automjeteve, duke krijuar kushte optimale për kalimin e lirë dhe pa vonesa të kufirit.

Edhe pse fluksi i qytetarëve të Kosovës ka qenë shumë i lartë, shtimi i sporteleve dhe procedura e përshpejtuar që aplikohet nga Policia Kufitare kanë shmangur radhët dhe kohëzgjatjen në doganë.

Fluksi i lëvizjes është ndjerë përgjatë gjithë Rrugës së Kombit, e cila nga 1 korriku e në vijim monitorohet me patrulla të përbashkëta të policisë se dy vendeve.


EMISIONET