Ndryshimet e temperaturave dhe uljet e ndjeshme të tyre gjatë kësaj jave, kanë sjellë shtimin e numrit të fëmijëve të prekur nga gripi dhe virozat.

Fluksi i fëmijëve të të gjitha moshave ka ardhur në rritje në Repartin e Pediatrisë së Spitalit Rajonal të Beratit, ku kjo javë është shoqëruar me një shtim të madh të rasteve.

Vetëm gjatë kësaj jave numri i vizitave ka arritur në 50 në ditë. Shefi i Repartit të Pediatrisë në Spitalin Rajonal Berat, Vladimir Kumaraku bën me dije se temperaturat e larta që po shfaqin fëmijët në këtë fazë tregojnë se kemi të bëjmë me një situatë virale.

Vladimir Kumaraku: "Jemi në pritje të zhvillimeve që do të marrë situata epidemologjike në varësi të nivelit të temperaturave ose faktorëve atmosferikë. Këshillat e mia janë që prindërit duhet të ndjekin me vëmendjen ndryshimin e faktorëve atmosferikë, të mos lëvizin shumë dhe të mos ketë grumbullime, sepse grumbullimi i fëmijëve favorizon përhapjen e virozave."

Vetë prindërit e fëmijëve të sëmurë dhe të afërmit e tyre shprehen se i kanë sjellë fëmijët në gjendje të rënduar gripale.

Prind"Para Vitit të Ri e nxorëm nga spitali, e mbajtëm në shtëpi dhe tani e sollëm përsëri për vizitë."

Temperaturat e ulëta të ditëve të fundit, janë reflektuar me shqetësime shëndetësore edhe tek moshat e treta dhe sidomos tek të sëmurët kardiakë dhe ata me hipertension.

/Ora News.tv/