Raportuesi i Parlamentit Evropian, Knut Fleckenstein dhe një delegacion prej 7 eurodeputetësh të tjerë do të zbarkojnë në Shqipëri javën që vjen, pas ngërçit politik të krijuar nga dorëzimi i mandateve të deputetëve të opozitës.

Delegacioni i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Europian do të mbërrijë të mërkurën në Tiranë për tu takuar fillimisht me liderët e opozitës shqiptare, Lulzim Basha e Monika Kryemadhi e më pas me kryeministrin Edi Rama e Ministrin e Jashtëm në detyrë Gent Cakaj.

Në përbërje të delegacionit janë deputetë të grupimeve të ndryshme politike nga Partitë Popullore, socialistët e demokratët, të cilët do t'i përfaqësojë vetë Fleckentesin.

Delegacioni ka parashikuar takime për të mësuar më shumë detaje rreth situatës politike në vend edhe me kreun e Kuvendit Gramoz Ruçi, ministrat e Brendshëm dhe të Drejtësisë, por edhe me shoqërinë civile. Gjatë këtyre ditëve ndërkombëtarët kanë dënuar dhunën në protestën e 16 shkurtit dhe kanë kërkuar nga palët në Shqipëria të dialogojnë.

Udhetimi- Udhëtimi i europarlamentarëve, i parashkuar kohë më parë ka si qëllim marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, ku Parlamenti Europian ka një rol të rëndësishëm. Shqipëria pret një përgjigje në qershor nga Këshilli Evropian për hapjen e negociatave, të cilat nisur nga gjendja politike në vend, është e vështirë të ndodhë këtë vit. Të shtatë deputetët e Parlamentit Europian pas Shqipërisë do të vizitojnë edhe shtetin fqinj të Maqedonisë.


/Ora News.tv/