(Esse për një parandjenjë dhe një ngjarje shkruar para 15 viteve)

Është muzg. Me një koleg, “lajmës” i një të përditshmeje tjetër, kur sapo jemi futur në kthesën e Gurit të Kishës në Rubik, një gur vigan ky, karakteristik ngjyrëbardhë, mbi të cilën tash më se 900 vite është vendosur si në një sfinks Kisha e të Shëlbuemit, kuvendit të njohur françeskan, na shfaqet një makine tip “Ifo“
- Iku dhe një në Tiranë, - foli kolegu.
Vëmendjen ia kish tërhequr ngarkesa e një lloji të veçantë e makinës, ca orendi të vjetra fshati, tavolinë, mindere me llastiqe, sobë, ca dru, kusi, tundës qumështi…
- E paskan marrë dhe stelin e qenit!

Një “qen ujk” vëzhgon tutje luginës, disi i hutuar nga ky udhëtim i gjatë i të zotërve të tij. Makina pas në targa shënonte BC, ç’ka linte të nënkuptoje nisjen e largët. Mbase dhe ky qen besnik i familjes, kishte lënë bujtinën e vet atje lart në Bjeshkët e Nemuna, me dilemën e misionit në bujtinën e re në metropol. Kolegu, me siguri, meditonte në ato momente mbi jetën e re të qenit.
Ndërsa në atë kalim vringëllthi “tef më tef” të makinave, nga brenda kabinës, bie në sy përbërja familjare: shtrënguar në sedilen me dy-tre njerëz, një grua me shami të bardhë lidhur tek koka, një burrë mustaqengrehur dhe një vajzë e re rreth të 20-ve. 

Ajo vajzë nuk m’u shqit nga mendja për orë të tëra, madje deri kur dëgjuam për hatanë e para pak ditëve me 22 vjeçaren nga Lekbibaj. Një makth në gjoks, dukej se parandjente një gjë të kobshme. Kishim dëgjuar për një vajzë kuksiane, mbi të cilën u derdhën plumba nga i ati, sepse ajo, sipas babait, kishte lënë “udhën e zotit”, kishte dashur dikënd tjetër atje në qytet dhe kish guxuar të shkelte mbi normat e moralit. Pikërisht për këtë mënyrë tjetër të menduari e të jetuari ishte ndëshkuar me plumba.

Po përse kjo parandjenjë e keqe afër Gurit të Kishës? Një histori e kahmoçme, u bë objekt i bisedës së mëtejme, histori e tash 100 e kusur vite, e shkrueme rrënqethase në trajtën e një romani që shpalos doke e zakone të malësisë së këtyre viseve. Shkruesi ka qenë famullitari misionar austriak, Fabian Barcata,qe ka jetuar afro 10 vite në këtë Kuvend, në mes malësorëve. Një histori dramatike e vajzës Lula, e shkruar nën dritën e kandilit nga famullitari mustaqeli, i peneluar bukur e me realizëm. Historia e “Lules së bukur”, kërcimtares më të shkathët e më të hijshme të krahinës, që nën efektin e bestytit të sajuar nga një shtriganë, që për të mos “u marruem në sytë e katundit nga barra e padëshirueme”, merr dënimin me vdekje të të vëllait.

Çuditërisht, historitë përsëriten, edhe pse pas 100 vitesh. Drama luhet në të njëjtën tokë, ndonëse me intensitet tjetër. Në atë kohë kur famullitari i ri, personazh i romanit dhe reales, grahte gjogun në rrebeshin e një nate pus për të shpëtuar vajzën e re nga përhumbja e arsyes të të vëllait, shkak i intrigës së sajuar nga shtrigana e pyllit Bora me një të paudhë si Pal Gjoka të dëbuar nga fshati, sot, ngjet po si ato kohë, edhe pse ka rrugë, ka makina e avionë! Por, çuditërisht, ingranazhet lëvizin njëlloj ngadalshëm si tash 100 e kusur vite. Vajza nga Lekbibaj, ka ndërruar jetë. Fishekun ia ka marrë me vete i ati që prej atij fshati të thellë malor…

- Po pushkën, a do ta kenë me vete?
Pyetja kishte dalë si padashje, si një përfolje me veten, teksa makina përkundej në një balturiqe në të dalë të Rubikut.
- Ç’dreqin të shkoi mendja tek pushka?
- Nuk e di përse, po a e pe atë vajzën në makinë?
Pastaj sërish u zhytëm në meditime.
“Lëviz malësia, - or mik, - me të mirat dhe të këqijat e veta, me zakonin dhe etjen për t’u përshtatur me botën e rrëmujshme. “Në emër të fëmijëve”, ky është dhe “ideali-palcë” i kësaj lëvizje, shkolla, integrimi, gjuha e huaj, kompjuteri. Kemi mbetur larg botës…” - mundohet të sqarojë me të pashpjegueshmen kolegu në krah. 

Është një trishtim i madh, që i nxit malësorët t’i largohen vendlindjes, të lënë shtëpi e katandi atje lart në male. Por “bota e qytetit” ka ecur shumë, edhe pse ashtu rrëmujshëm. Prindit i duhet të rropatet dritë e terr për të fituar bukën e gojës për fëmijët e sjellë prej malësie. Po dhe shtëpi i duhet të bëjë. Nuk ka kohë të orientohet më gjatë në tërë skutat e psikologjisë e mentalitetit të metropolit, as të kuptojë fëmijën e tij, që trysnohet çdo orë e minut, nën efektin e rropamave të muzikës, të qejfit, të pub-it, “të puthjes në sy të botës” (diç lëviz në gjakun e vajzës që i është skuqur faqja kur këtë e ka parë thjeshtë në televizor në sy të prindërve, ndërsa është çuar prej divanit për të bërë kinse ndonjë punë, sa të kalojë ajo sekuencë).

Por tani ndryshon puna. Metropoli i zhurmshëm fillon e të bën personazh. Zilia për atë që ka, që është i mbajtur, që lyhet e frekuenton parukeritë e sallonet e masazheve. Një flok i prerë bukur, pak minifund për të zbuluar hiret në sy të djemve, këpucët e modës së fundit. Shih gjithandej në krah, një rini, që është rob e pub-ve, duhanit, alkoolit, drogës. Ku i ka ditur këto gjëra vajza nga Malet e Eperme?! Mirëpo, ca gjëra fillojnë e lezetojnë, në fund të fundit është mosha e rinisë, dikush kërkon dhe “kohën e humbur” atje në male. Po a mund ta kapërdijë tërë këtë ndryshim ai burri me mustaqe? Tani jo. Më vonë nuk i dihet. 

Kodi i ri i familjes, ka shumë gjëra tabu deri tani, nga ato të turpshme, por që ama janë shkruar në ligje. Kodi moral është tjetër. Dhe për çudi edhe njerëz me akses publik, ende luhaten mes ligjit dhe moralit. Hëm nga Europa, hëm nga kanuni i maleve! Këtë e ndjen mirë dhe ai burri mustaqengrehur, që ka zbritur “tani pari” nga mali. Këta të shkolluarit, notojnë në evazivitetin e interpretimeve, mes zakonores dhe moralit integrues, ai malësori, kuptohet, mbahet tek morali zakonor. Ndaj e ka marrë dhe atë pushkën me vete. Dhe ca fishekë. Mes tyre edhe për vajzën, nëse ndonjë ditë “i del duarsh”. Një fishek në pajën e pasajuar. Dhe e ka strukur mirë e mirë poshtë teshave edhe atë, pushkën dhe “fishekun në pajë”. 

Që prej andej, nga fshati i largët, ka dredhuar në sa e sa postoblloqe policie për ta pasur një rojtës të mirë të papriturave që të sjell Tirana, armë që ruajnë familjet nga të pabërat e fëmijëve të tyre. Dhe nuk janë pak ardhacakë në “familjen e madhe 800 mijëshe të Tiranës”, gati gjysma. Mirëpo, Tirana bën sikur nuk i ka, sikur nuk i kupton. Shteti jo e jo, infrastruktura sociale nuk funksionon, morali i mediave krejt pertoke, gazetat po e po, gjokse të shtruara gjithandej, një reklamë “nuk di me ma lypë”, sfidon dhe “PEPS-in”, politika është bërë gaz i ditës dhe i natës. E ai malësori nuk di se ku të orientohet, në këtë moral “të çuditshëm”, që ka zënë tërë shoqërinë apo në atë, që e ka konsideruar “më të fismin”, para se të zbriste nga bjeshkët e larta?

Sidoqoftë, pushka dhe fisheku në pajë, në versionin e ri përgjojnë, mbase dhe për ndonjë 22 vjeçare tjetër. Urimi i burrave “me yrz” ka qenë: “I lumtë pushka! Pjella që të përllom dy gisht nder në ballë nuk ka se ç’të duhet!” Ingranazhet e shtetit dhe të moralit, lëvizin tejet ngadalë. Më ngadalë se “gjogu i famullitarit” para 100 viteve…

/Ora News.tv/