Filo: Projekt për stadiumin e Korçës, Skënderbeu "shtëpi" sipas kritereve të UEFA-s

Filo: Projekt për stadiumin e Korçës, Skënderbeu

Skënderbeu shumë shpejt do të ketë një stadium totalisht të ri që do të përmbushë të gjitha kriteret e përcaktuara nga UEFA. Dhe nuk bëhet fjalë vetëm për një ide, pasi tashmë projekti ekziston dhe në nisje të vitit të ri do fillojnë edhe punimet. Këtë gjë e ka bërë me dije ditën e djeshme edhe kryebashkiaku i Korçës.

Sotiraq Filo, në një deklaratë të dhënë “Panorama Sport”, tregoi të gjitha detajet e impiantit të ri, i cili do të jetë mbi 75% i mbuluar, si dhe do të kushtojë diku te 7-8 milionë euro. “Gjatë vitit që vjen, do të fillojmë një projekt madhor për sa i përket sportit, siç është investimi në stadiumin ‘Skënderbeu’ të Korçës.

Ky investim së bashku me pjesën sportive dhe terrenet e reja do ta vendosin qytetin tonë në një pozicion elitar edhe për sa i takon infrastrukturës sportive. Kjo për vetë faktin se me një impiant të ri apo me terrenet e rinovuara të sportit, nuk besoj se e ka një qytet tjetër në Shqipëri. Tani na mbetet sfidë se si t’i vëmë në punë dhe të afrojmë sa më shumë sportistë”, tha fillimisht numri një i bashkisë.

INVESTIMI – Ai konfirmoi se për këtë investim do angazhohet edhe qeveria, ndërsa kanë marrë premtim edhe prej kryeministrit. “Për stadiumin ne kemi marrë një premtim dhe një angazhim nga ana e kryeministrit Rama që do të mbështesë projektin e rindërtimit të stadiumit ‘Skënderbeu’ të qytetit të Korçës.

Kjo është kryesorja, pasi pika e parë dhe e fundit, se përse nuk kemi pasur një stadium që të përmbushë kriteret europiane deri më tani, ka qenë pikërisht çështja financiare. Kjo, pasi nuk bëhet fjalë disa fonde, por për një fond të konsiderueshëm që shkon në afro 7-8 milionë euro.

Dhe kjo e bën këtë projektin më të madh që ne kemi zbatuar në bashki. Unë e kam kuptuar dhe mirëpritur padurimin e tifozëve korçarë për të pasur një stadium të parametrave të tilla, por duhet të na mirëkuptojnë edhe ata ne, pasi nuk është një projekt, i cili mund të përballohej nga të ardhurat e vetë bashkisë”, theksoi kryetari Bashkisë Korçë.

PROJEKTI – Më pas, Filo u ndal më specifikisht edhe në disa pika të ndryshme të këtij projekti, i cili do të ketë arkitekt Peter Uilson, të njëjtin që projektoi stadiumin “Loro Boriçi” në Shkodër. “Është një stadium që do të ndërtohet nga e para dhe mund të ruhet vetëm hapësira e fushës dhe elementët e ndriçimit.

Pra, ato elementë që janë ekuivalente me standardin europian dhe që kualifikohen nga UEFA si të rregullta për zhvillimin e ndeshjeve europiane. Pjesa tjetër do të ndërtohet nga e para me standardet e përcaktuara nga UEFA. Unë kam parë imazhe që qarkullojnë në portale, por projekti nuk është ai.

Ne po punojmë me hartimin e projektit dhe, minimalisht, pjesa e tribunës dhe pjesa përballë do të jenë të mbuluara duke pasur parasysh edhe kushtet klimaterike të qytetit.

Më pas do të plotësohet me të gjithë pjesën tjetër duke filluar nga salla VIP, salla e gazetarëve, dhomat e lojtarëve, të zyrtarëve. Pra, çdo gjë do të jetë sipas standardeve të UEFA-s që ky stadium të jetë i klasifikuar për të luajtur të gjitha ndeshjet europiane.

Do të ketë një rritje të kapacitetit dhe ne kemi si synim që të shkojë rreth 9000 vende, gjë që e përcaktuam së bashku me presidentin. Skënderbeu luan edhe në kampionat dhe impianti duhet të ketë një numër jo shumë të madh që të mos duket bosh në ndeshje kampionati”, vijoi ai.

AFATET – Për sa i përket kohëzgjatjes dhe fillimit të punimeve, numri një i Bashkisë së Korçës siguroi që ky stadium do të fillojë nga ndërtimi në vitin 2018, por nuk bëri të ditur ndonjë afat të caktuar. Tashmë pritet vetëm që të hartohet projekti me saktësi dhe në përputhje të plotë me udhëzimet e Federatës Shqiptare të Futbollit që do të përcaktojë kriteret e duhura për të plotësuar kushtet e UEFA-s për luajtjen e ndeshjeve të Europës në Korçë.

“Tashmë bashkia është duke punuar për hartimin e projektit dhe nga ana tjetër edhe klubi duhet të caktojë piketat në bashkëpunim me FSHF-në që ky stadium të jetë i certifikuar”, përfundoi Sotiraq Filo, kryetari i Bashkisë së Korçës. /panorama sport/

EMISIONET