PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH/.- Këtë vit, në edicionin e 66-të të Berlinales pjesë e programit do të jetë edhe filmi ‘Babai’ nga Visar Morina, i cili do të shfaqet në kuadër të programit Lola at Berlinale. Filmi do të shfaqet të premten më datë 12 shkurt në ora 16:00 në kinemanë Zoo Palast, bën të ditur Qendra Kinematografike e Kosovës. Ky film është një ndër filmat më të suksesshëm të kinematografisë tonë dhe së fundmi protagonisti i filmit Astrit Kabashi fitoi çmimin aktori më i mirë në festivalin Angers Film Festival në Francë. ‘Babai’ shtjellon rrëfimin e Norit (Val Maloku) një fëmijë i cili shet cigare në rrugë bashkë me të atin Gëzimin (Astrit Kabashi) në Kosovën e viteve ’90, ku babai dëshiron të gjejë një mënyrë për të emigruar në Gjermani e i biri bën çdo gjë për të qenë me të. Të zënë mes dëshirës për të qenë së bashku dhe nevojës për t’u ballafaquar me realitetin e vështirë, marrëdhënia babë-bir zhvillohet deri në pikën ku asgjë mes tyre nuk është më ashtu si ka qenë. Filmi ‘Babai’ është mbështetur nga Qendra Kinematografike e Kosovës dhe nga fondacionet gjermane të filmit si Film und Medien Stiftung NRW, fondacioni FFA, fondacioni Nordmedia, pastaj Fondi Maqedonas i Filmit, fondacioni francez Cinema Du Monde dhe nga televizioni publik gjerman WDR si dhe televizioni publik gjermano-francez ARTE dhe është prodhim i NikoFilm, Gjermani, Produksioni Krusha, Kosovë, Skopje Film Studio, Maqedoni dhe Eaux Vives Productions, Francë./b.j/k.s/ /Marrë nga ATA/  

/Ora News.tv/