Pas zyrtarizimit për të organizuar Ligën e Kombëve, organizmi më i madh i futbollit, FIFA po mendon të krijoj një Kupë Bote për klube.

Sipas projektuesve turneu në fjalë do të zhvillohet një herë në 4 vite dhe do të zhvillohet një vit para Kupës së Botës për kombëtaret. Skuadrat pjesëmarrëse, sipas formatit të ri do të jenë 24, të vendosura mbi një kriter gjeografik.

Në Botërorin e Klubeve do të jenë 12 ekipe europiane, 4 amerikano-jugore, dy afrikane, po kaq aziatike dhe amerikano-veriore, e dy të fundit të ndarë: një nga “play off”-i dhe një nga vendi organizator.

Ka ende paqartësi për kriteret e kualifikimit., por FIFA synon të ketë në Botëror të gjithë emrat e mëdhenj dhe ato klube që kanë fituar të paktën 3 herë Champions League, si dhe skuadra të tjera që kanë fituar 3 herë Europa League.

Investitorët janë gati të hedhin 3 miliardë euro për çdo edicion. Një e treta e shumës do të përdoret nga FIFA, ndërsa pjesa tjetër do të shkojë në favor të klubeve, minimalisht 60 milionë euro për çdo pjesëmarrës.

Edicioni i parë do të zhvillohet në vitin 2021, në muajin qershor, e Kina është pretendentja kryesore për të organizuar Botërorin e ri të Klubeve.

/Ora News.tv/