Një pjesë e tregtarëve të vegjël në Fier që preken nga skema e re e TVSH iu përgjigjën thirrjes së Partisë Demokratike dhe dolën në protestë kundër vendimit të qeverisëAta thanë se përfshirja në TVSH i çon drejt falimentit, në një kohë kur sipas tyre ka qytetarë që blejnë me lista. Në mbështetje të tregtarëve ishte deputeti demokrat Luan Baçi, i cili tha se qeveria kërkon falimentimin e tyre për të mbështetur qëndrat e mëdha tregtare. Të premten në orën 10:00 do të jetë  tubimi i radhës i tregtarëve të Fierit.

Në orën 10:00, një pjesë e tregtarëve të vegjël në Fier mbyllën qepenat dhe dolën në protestë para prefekturës për të kundërshtuar përfshirjen në skemën e TVSH.

Ata iu përgjigjën një thirrje të Partisë Demokratike për protestën, por me pankarta në duar e thirrje kundër vendimit, thanë se arsyet janë vetëm ekonomike.

Tregtari: Nuk më interesojnë partitë, më interesojnë fëmijët e mi.

Sipas tyre kjo skemë, që në Fier përfshin rreth 440 nga 4166 biznese të vegjël që ka Bashkia, i çon drejt falimentimit.

Tregtari: Kemi përmbysur sistemin komunist dhe nuk do i ndahemi pa hequr TVSH, pa rritur pragun mbi 20 milionë.

Tregtari: 20 milion lekë nuk e ka biznesi i madh, ne mbetemi vendi më i humbur i botës.

Ndërsa deputeti demokrat, Luan Baçi, që ishte në krah të organizatorëve tha se falimentimi i biznesit të vogël është qëllimi i qeverisë, për të mbështetur qendrat tregtare.

Baçi: Do të mbyllin të gjithë bizneset e vogla, do të përqëndrohen nëpër qendra tregtare të fuqishme.

Tregtarët e Fierit kërkuan takime me drejtuesit e prefekturës dhe tatim-taksave dhe në mungesë të përgjigjes u larguan me paralajmërimin se do të rikthehen sërish në protestë të premten në orën 10:00.



/Ora News.tv/