Festat e fundvitit do të kalojnë pa viroza. Në këtë periudhë, vizitat në pediatri janë në mesataren normale, ndërsa apelojnë për kujdes të veçantë te femijët. Por në Durrës, një formë agresive gripi që po prek kryesisht fëmijët është shfaqur në këto ditë të ftohta. Në pediatrinë e qyteti bregdetar, çdo ditë marrin trajtim mbi 130 fëmijë.

Periudha e fundvitit duket se do të kalojë pa probleme për sa iu përket virozave. Shifrat në pediatri flasin për një situatë normale në Tiranë, ku deri në 20 fëmijë paraqiten  mesatarisht çdo ditë pranë qendrave shëndetësore në Tiranë.

Bektash Mandri: Unë them se do të jenë festa të qeta. Kemi infeksione të rrugëve respiratore, por janë raste të ralla.

Mjeku pediatër, Bektash Mandri, këshillon që fëmijëve të mos iu jepen antibiotikë para se të kryehet vizita, ndërsa apelon edhe për bërjen e vaksinës antigrip.

Bektash Mandri: Marrja e antibiotikut nuk është se na ndihmon, thjesht ul pak imunitetin dhe i themi virusit "zhvillohu dhe pak".

Në pediatrinë e qytetit të Durrësit rastet shkojnë deri në 130 vizita në ditë.

Gjyzede Zalla: Një fluks mesatar, por bëjmë thirrje që të keni kujdes për fëmijët.

Rreth 15 fëmijë në ditë marrin mjekim 12 orësh, ndërsa mesatarisht 5 fëmijë në ditë shtrohen në spitalin e Durrësit për shkak të komplikacioneve që paraqesin nga virozat dhe gripi.

/Ora News.tv/