Faza finale e zgjedhjeve europiane 2019, votojnë 21 shtete

Faza finale e zgjedhjeve europiane 2019, votojnë 21 shtete

Zgjedhjet europiane pritet të kulmojnë në orët në vijim në 21 shtetet e mbetura anëtare.

Pas procesit paraprak në disa vende të BE-së, sondazhet tregojnë se shumë qytetarë i kanë rezistuar tundimit të partive euroskeptike, duke mbështetur grupimet tradicionale përballë atyre populiste.

Beteja me ekstremistët e djathtë do të zhvillohet tanimë edhe më ashpër në ekonomitë më të mëdha të Europës.

Liderët populistë si italiani Mateo Salvini, francezja Marin Lë Pen apo hungarezi Viktor Orban, apo të ngjashmit e tyre në Gjermani, Austri dhe Poloni shpresojnë të fitojnë sa më shumë poste që të mund të forcojnë zërin rreth çështjeve si emigracioni, nacionalizmi apo burokracia në Bruksel.

Përballë tyre ndodhen socialdemokratët gjermanë të Angela Merkel apo europianisti francez Emanuel Makron, të cilët bëjnë thirrje për unitet.

Në Greqi konservatorët e Kirjakos Micotakis po i shohin zgjedhjet europarlamentare si referendum kundër kryeministrit Aleksis Cipras, dhe nëse mbështetja për opozitën është aq e lartë sa raportohet në medie do të luftohet për të mbajtur zgjedhje të parakohshme.

Rezultatet e zgjedhjeve do të publikohen duke nisur nga orët e mbrëmjes ose të hënën.

Partitë e qendrës së djathtë apo të majtë parashikohet të kontrollojnë sërish Parlamentin Europian edhe pse me më pak mandate, ndërsa grupimi ultradjathtist mund të rritet më shumë.

Mandati i ligjvënësve aktualë të Parlamentit Europian skadon në datën 1 korrik, ndërsa 751 pasardhësit e tyre do të ngarkohen në detyrë në Strasburg një ditë më pas.

EMISIONET