Kombëtarja e femrave në volejboll do të luajë më datat 16-17 shtator fazën finale të Ligës së Europës, e kualifikuar pasi zuri vendin e dytë në Grupin B (pas Austrisë). Një paraqitje e mirë e vajzave kuqezi, që në këtë fazë eliminatore arritën 5 fitore dhe vetëm një humbje, duke u kualifikuar për herë të parë në fazën finale, një arritje e madje, frut i një pune 3-vjeçare, siç dhe konfirmon kapitenia e ekipit kombëtar, Ariola Prenga. “Ky është viti i tretë që ne luajmë në këtë event të rëndësishëm ndërkombëtar, që ribashkohemi për të përfaqësuar volejbollin shqiptar në arenën ndërkombëtare. Jemi një grup ku nga viti në vit është punuar shumë për të funksionuar më së miri, një punë e nisur që në maj të 2016-ës dhe që vijon ende edhe sot”, tha Prenga.

Duke folur për grumbullimin dhe punën e bërë gjatë këtij viti, volejbollistja kuqezi shprehet e kënaqur me punën e bërë, çka e vërtetojnë rezultatet e arritura në fushën e lojës. “Ekipi është grumbulluar dhe ka filluar përgatitjet që në maj, stërvitemi rregullisht me dy seanca në ditë, të alternuara edhe me palestrën. Stërvitjet dhe ndeshjet e fazës në grupe kanë shkuar në mënyrën më të mirë të mundshme, kanë qenë ndeshje fantastike sepse i tillë është edhe grupi i vajzave. Megjithatë, dua të falënderoj edhe presidentin dhe gjithë stafin e Federatës, të cilët kanë dhënë maksimumin për të plotësuar çdo nevojë që i duhet ekipit kombëtar, gjë që e ka lehtësuar shumë punën tonë”, u shpreh kapitenia e kombëtares.

Por nëse pjesa e parë e këtij eventi ka përfunduar me sukses, tani nis pjesa e dytë, faza më e vështirë, sfida mes 4 ekipeve më të mira dhe kombëtarja kuqezi ka shansin e madh që të triumfojë në Divizionin e Argjendtë. Rezultatet kanë motivuar ekipin, gjë që konfirmohet nga Prenga, kur shton: “Momentalisht jemi në një atmosferë shumë pozitive dhe entuziaste, sepse arritëm synimin kryesor, kualifikimin në fazën finale, por kjo nuk do të thotë që jemi të qeta, pasi asgjë nuk ka përfunduar. Këtë fundjavë kemi “Final Four” në Suedi, ndeshje edhe më të forta, por edhe përgjegjësi më e madhe, sepse nuk ndodhemi këtu rastësisht. Kemi 3 vjet që punojmë për të arritur deri këtu dhe nuk kemi ndërmend të ndalemi tani, përkundrazi na shtyjnë edhe më shumë për të ardhmen”.

Sistemi i ri i organizimit të këtij eventi duket se ka ndihmuar kombëtaren e femrave, që edhe pse është lodhur disi duke udhëtuar javët e fundit, ia doli mbanë të kualifikohet. “Ky sistem i European League është aplikuar për herë të parë për të gjithë pjesëmarrsit, të ndara në dy kategori (Silver dhe Gold) dhe në “Final Four”, të katërta pretendentet e kanë për herë të parë kualifikimin. Ndaj, jemi në kushte të barabarta dhe patjetër që edhe ne pretendojmë për fitimin e këtij turneu. I vlerësojmë të tre rivalet e tjera dhe sigurisht që do të japim maksimumin në fushë. Në grup ishim me Austrinë, Izraelin dhe Gjeorgjinë, ku njihnim vetëm Austrinë. Por Piotrek studioi në mënyrë perfekte të gjithë kundërshtarët dhe në seancat e videove stafi i trajnerëve krijuan taktikën e përshtatshme që të arrinim rezultatet e dëshiruara”, u shpreh Ariola Prenga.

Ndeshjet e fazës finale do të luhen në Suedi, në një vend të njohur për kapitenen shqiptare, që ka luajtur edhe më parë aty. Ndaj për të ky është një rikthim në Suedi, ku shpreson të tregojë edhe një herë, ashtu si dikur, aftësitë e saj si kampione.

Pjesën më të madhe të lojtareve të Suedisë i njoh, sepse kam luajtur kundër tyre në Ligën Nordike. Sigurisht që sot janë edhe me më shumë eksperiencë ashtu siç janë edhe vajzat tona sot. Por data 16 do të vendosë finalistet e European League dhe ekipi që do të luftojë më shumë dhe do të bëjë më pak gabime do të arrijë fitoren. Këto janë ndeshje me shumë emocione, të bukura, sepse për të arritur deri aty nuk ishte e lehtë dhe nuk të jepet më mundësia për të rikuperuar. Pra, ne duhet të jemi të bashkuara më shumë se kurrë këtë fundjavë”, thotë Prenga, që në fund falënderon edhe fansat e shumtë që kanë mbështetur kombëtaren: “Dua të përshëndes dhe falënderoj të gjithë ata që na kanë mbështetur në ndeshjet që kemi zhvilluar, si në Shqipëri ashtu edhe jashtë, pasi këta tifozë kanë qenë një shtysë e madhe për ne dhe besoj se me rezultatet e arritura deri më tani ua kemi shpërblyer”.



/Ora News.tv/