Evropa vijon të mbetet nën diktatin e dëborës dhe motit të ftohtë, që është përhapur nga veriu e deri në bregdetin e Mesdheut në jug. Vala e acarit, e quajtur “Bisha nga Lindja” në Britani, po sjell erëra të ftohta përqark kontinentit, me temperatura që zbresin deri në -30 gradë Celsius. 

Të paktën 10 persona raportohen të kenë humbur jetën në këto kushte ekstreme të motit, por besohet se bilanci mund të jetë edhe më i rëndë me 24 viktima. Shqetësimi kryesor i autoriteteve vijojnë të mbeten personat e pastrehë, për të cilët janë ngritur qendra emergjente strehimi, ku sigurohen ushqim dhe batanije.

Moti i ftohtë, i quajtur “ariu siberian” nga mediat holandeze ka sjellë reshje të pazakonta dëbore në pjesë të Spanjës veriore, duke nxitur autoritetet të lëshojnë alarm për situatën.

Edhe Italia vijon të jetë e mbuluar nga dëbora në shumë pjesë të saj, gjë që ka sjellë kënaqësi tek banorët. Në Romë, turistët i janë gëzuar trukeve të Nënës Natyrë, duke fiksuar çastet e rralla të dëborës, e cila ka ngrirë edhe ujin në shatërvanë të famshëm të qytetit.

Në Londër, pallati mbretëror Buckingham është mbuluar nga një tis dëbore, ashtu si edhe shumë pjesë të kryeqytetit. Në Irlandë ndërkohë, guximtarët kanë sfiduar temperaturat nën zero, duke notuar në ujërat e akullta në gjirin Galway.

Kushtet atmosferike kanë paralizuar funksionimin normal të rrugëve dhe janë bërë shkak për mbylljen e shumë shkollave, bizneseve apo edhe për anulimin e udhëtimeve dhe fluturimeve në mbarë kontinentin. Shumë rajone janë vendosur nën alarm për shkak të temperaturave të acarta të cilat pritet të vijojnë deri në fund të kësaj jave.

/Ora News.tv/