Europol në Shqipëri pas Frontex

Europol në Shqipëri pas Frontex

Europol do të ketë një oficer ndërlidhës në Shqipëri, për të ndihmuar policinë shqiptare në punën e saj. Në ceremoninë e çeljes së kësaj zyre në Tiranë, ambasadori i BE-së, Luigi Soreca, e quajti bashkëpunimin me Europol një hap drejt BE dhe hapjes së negociatave. Edhe Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, tha se bashkëpunimi me Europol nënkupton integrim në BE. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliu, theksoi se policia e Shtetit është e angazhuar për të kontribuar në rritjen e parametrave të sigurisë publike rajonale dhe më gjerë.

Një oficer i policisë evropiane do të punojë në një zyrë të posaçme pranë strukturave të policisë me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Bashkimit Europian.

Në ceremoninë për hapjen e zyrës ndërlidhëse, Ambasadori i BE-së në Tiranë, Luigi Soreca dhe ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, e cilësuan një hap drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Lleshaj: Po realizojmë hapa që shënojnë njëfarë integrimi de facto. Kjo qasje është rruga më e drejtë për të arritur dalëngadalë drejt integrimit de juro në BE.

Soreca: Ky operacion ndihmon edhe në angazhimin e Shqipërisë në fushën e sigurisë por edhe në procesin e hapjes së negociatave me BE. Unë jam shumë krenar që po e shoh një gjë të tillë në Shqipëri dhe jam më shumë i bindur se puna e Europol do jetë shumë e mirë në bashkëpunimin me policinë shqiptare. Ne do të ndihmojmë Shqipërinë për të pasur më shumë rezultat. Rezultatet kanë qenë pozitive në ruajtjen e kufijve dhe parandalimin e emigracionit të paligjshëm. E gjitha kjo tregon se BE është duke aplikuar strategjinë e vet në Ballkanin Perëndimor.

Gjithashtu në fjalën e saj drejtoresha ekzekutive e Europol, De Bolle deklaroi se ky nuk është fundi por vetëm fillimi i një bashkëpunimi në fushën e sigurisë ndërsa edhe drejtori i policisë së shtetit, Ardi Veliu vuri theksin tek bashkëpunimi mes dy strukturave, nga ku listoi dhe disa nga operacionet ndërkombëtare ku ka marrë pjesë dhe Shqipëria.

Veliu: Gjatë vitit 2018, nga Zyra Kombëtare e EUROPOL-it janë zhvilluar 8 operacione, ndërsa gjatë këtij 6 mujori janë zhvilluar 12 operacione.Vetëm muajit e fundit janë zhvilluar tre operacione ndërkombëtare të rëndësishme të koordinuara dhe drejtuara nga EUROPOL, ku Policia e Shtetit ishte pjesëmarrëse njësoj si homologët e saj.

Pas dislokimit të forcave të Frontex në kufijtë e Shqipërisë, për herë të parë në një vend jashtë, BE-së, edhe zyra e Europol është e para në Rajon dhe sipas drejtoreshës ekzekutive, e dyta në botë pas Uashingtonit.

EMISIONET