Qeveria shqiptare ka realizuar me sukses eurobondin e tretë në tregjet ndërkombëtare.Referuar të dhënave të Thomson Reuters, oferta ka qenë mjaft e lartë, në rreth 1.25 miliardë euro, nga 500 milionë euro që kërkonte qeveria shqiptare.

Yieldi përfundimtar i këtij eurobondi është 3.55%, shumë më i ulët krahasuar me interesin prej 5.75% të paguar për eurobondin 450 milionë euro, të emetuar në vitin 2015. Përpara se ankandi të mbyllej interesi i pritshëm ishte nga 3.6%-3.7%.

Data e maturimit të këtij eurobondi të tretë prej 500 milionë euro, është 9 nëntori i vitit 2025.

Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer përpara kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve.

Pas mbylljes së eurobondit në tregjet ndërkombëtare, ka reaguar kryeministri Rama nëpërmjet një statusi në Twitter. Kreu u qeverisë shkruan se oferta e tregjeve tregon se Shqipëria është një investim i sigurt.

Rama: “Tregjet u përgjigjën qartë! 4vjet më parë Shqipëria paguante 5.75% bond 5vjeçar, për të kompensuar ata që investonin paratë tek ky vend. Sot paguajmë 3.5% bond 7vjeçar. Shqipëria shihet si një investim i sigurtë e premtues falë reformave transformuese. Ende shumë për të bërë”.

/Ora News.tv/