Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në treg për blerjen e monedhës europiane vijon që për të dytën ditë të japë efekte në rimëkëmbjen e euros.

Aktualisht monedha europiane po këmbehet me 127.58 lekë, duke u rritur me rreth 3 pikë.

Por zhvlerësimi i fortë i euros gjatë muajit maj nuk ka dhënë  të njëjtin efekt në uljen e çmimeve të produkteve të importit.

Të dhënat e INSTAT tregojnë se gjatë muajit maj krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të një viti më parë ka pasur rritje të çmimeve ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me +1,10 pikë përqindje e ndjekur nga çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” dhe çmimet e grupit “Transporti” .

Rritja e çmimeve të konsumit ka ndikuar në rritjen e inflacionit krahasuar me një vit më parë duke arritur në 2.1% .

Gjithësesi kjo vlerë mbetet përsëri nën objektivin prej 3 % të vendosur nga Banka e Shqipërisë.

Megjithatë krahasuar me një muaj më parë, inflacioni ka qëndruar në të njëjtin nivel. Ky është i muaji i katërt që inflacioni qëndron mes nivelit 2% dhe 2.1%. 

Këto të dhëna tregojnë se kthimi i inflacionit në objektiv do të jetë i vështirë, duke bërë që Banka e Shqipërisë të shtyjë kthimin në objektiv rreth fundit të vitit 2019.

Nisur nga norma e ulët e inflacionit, Banka e Shqipërisë u detyrua të ndërhyjë në treg për të forcuar më tej euron.

 

/Ora News.tv/