Banka e Shqipërisë ka nisur blerjen e euros në tregun valutor.Kjo ndërhyrje  duket se ka dhënë efektet e para pasi monedha europiane është forcuar gjatë ditës së sotme me  1 pikë. Banka e Shqipërisë sqaron se kjo ndërhyrje ishte e domosdoshme, ndërsa shprehen se paketa për de-euroizimin do të vijojë.

Ndërhyrja e Bankës së Shqipërisë në tregun valutor për të blerë monedhë evropiane ka dhënë efektet e para në rritjen vlerës në treg.

Sipas kursit zyrtar të Bankës së Shqipërisë një euro aktualisht po shkëmbehet me 125.25 lekë nga 124.4 që këmbehej një ditë më parë.

Pavarësisht ndërhyrjes drejtuesit e Departamentit Monetar në Bankën e Shqipërisë shprehen se paketa e de-euroizimit do të vijojë që të zbatohet dhe do të hyjë në fuqi në fund të muajit qershor.

Sipas tyre deri më tani efektet janë konsideruar psikologjike.

Megjithatë vendimi i bërë publik prej Guvernatorit, Gent Sejko, është është mirëpritur edhe nga shoqata e Bankave.

Sekretari i Përgjithshëm, Spiro Brumbulli, u shpreh se e rëndësishme është që të largohen nga tregu faktorët spekulantë.

Spiro Brumbulli: Duke blerë, pra duke tërhequr një pjesë të euros nga qarkullimi dhe duke rritur sasinë e lekëvë në qarkullim. Sigurisht kundrejt gjithë këtij diskutimi të madh që kemi të bëjmë me kursin e euros, bie, nuk bie, prek, nuk prek. Është një veprim që për mua do ta vlerësoja pozitiv nëse ai fillon, shmang, eleminon çdo prirje dhe aspekt që mund të jetë spekulativ.

Përfaqësuesi i bankave të nivelit të dytë ka një këshillë për individët dhe bizneset që të mos konvertojnë eurot në këtë moment.

Spiro Brumbulli: Për ato biznese dhe individë që janë nën presionin për të bërë pagesa në lekë ndoshta duhet të shikojnë strategjinë që të mos konvertojnë eurot e tyre sot në lekë, të mbajnë eurot, të marrin kredi në lekë.

Sipas Brumbullit, zhvlerësimi i euros gjatë muajve të parë të këtij viti ka  ndikuar tek fitimet e bankave të nivelit të dytë pasi pjesa më e madhe e kredive që janë dhënë janë në monedhën europiane.

Spiro Brumbulli: Në treguesit e përgjithshëm sigurisht që euro ndikon. Psh gjithë portofoli i kredive që është në euro e shumëzuar me këtë vlerë të ulët, del më i ulët dhe krahasuar me vitin e kaluar duket sikur gjithë portofoli i kredisë ka rënë në një rënie të konsiderueshme.

Operacionet e blerjes së valutës nuk kanë një afat të përcaktuar dhe pritet të vazhdojnë deri në stabilizimin e situatës.

/Ora News.tv/