Udhëheqësit e BE po përgatiten të ritheksojnë zotimet e tyre për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor të enjten më 17 maj në Sofje.

Por sipas Shqipërisë, një nga vendet pararojë drejt pranimit në BE, samiti do të zhvillohet në një klimë me konkurrencë të shtuar të Rusisë.

Në këndvështrimin e EUobserver, në deklaratën e së enjtes liderët e BE-së planifikojnë të thonë se “BE ripohon mbështetjen e saj të qartë për perspektivën evropiane të Ballkanit Perëndimor.”

“Duke u mbështetur në progresin e arritur deri më tani, partnerët e Ballkanit Perëndimor kanë përkrahur përsëri perspektivën evropiane si zgjedhjen e tyre strategjike,” kanë për qëllim të thonë ata. Ky samit do të jetë i pari i llojit të tij që kur BE u zotua për zgjerimin e Ballkanit Perëndimor në Selanik, Greqi, 15 vjet më parë.

Takimi i Sofjes u hartua për të përshpejtuar pranimin pasi Komisioni Evropian tha se Mali i Zi dhe Serbia mund të bashkohen brenda vitit 2025. Komisioni gjithashtu ka vënë Shqipërinë dhe Maqedoninë në garë duke rekomanduar hapjen e negociatave me BE.

Deklarata me nëntë faqe e Sofjes kryesisht merret me çështje të pakontestueshme të infrastrukturës, siç janë projektet për autostrada dhe aeroporte, në vend që të bëjnë deklarata strategjike.

Nuk përmendet

Nuk përmendet aspak “anëtarësimi”, “pranimi” ose “zgjerimi” i BE-së dhe nuk përmendet Rusia, edhe pse në takimin e së enjtes krerët e BE-së planifikojnë të diskutojnë atë që një diplomat i BE-së e quajti “ndikim shkatërrues” i Rusisë.

“Ambicia jonë ishte të shkonim përtej kësaj çështje”, tha diplomati i BE-së, por gjëja kryesore ishte që “të ketë një deklaratë që mbështetet nga të 28 krerët e vendeve anëtare të BE-së”, duke përfshirë këtu edhe skeptikët për zgjerimin, si Spanja, tha ai.

Megjithatë, samiti i Sofjes “tregon gatishmërinë e BE-së për t'u angazhuar sërish në rajon, për t'u angazhuar pas një periudhave të gjatë pushimi”, tha diplomati.

Ai shtoi se ky format samiti do të përsëritet në Kroaci në vitin 2020, si rikthim më i gjerë i Ballkanit në axhendën e BE-së.

Rusia, si dhe Arabia Saudite dhe Turqia po përpiqeshin të rrisnin ndikimin e tyre në Ballkanin Perëndimor pasi BE kishte lënë “një vakum” atje, tha një diplomat i dytë i BE.

“Vendet anëtare të BE-së e kuptojnë këtë gjë më mirë se disa vjet më parë,” tha ai.

Paralajmërimi i Shqipërisë

Por sipas ministrit të jashtëm shqiptar Ditmir Bushati, ndryshe nga Selaniku, nisma e BE-së do të duhet të luftojë me oponencën e Rusisë në mjedisin e ri gjeopolitik.

“Rusia kundërshton zgjerimin e NATO-s në rajon dhe synon të ndërpresë reformat e drejtuara nga BE,” tha ai në një intervistë në EUobserver.

Moska “nuk humb asnjë rast” pa shfrytëzuar problemet rajonale, tha ai.

Bushati tha se Perëndimi duhet të ketë kujdes për ndërhyrjen ruse në vendet pararojë drejt anëtarësimit në BE si Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia dhe shtoi se Moska ishte e përgatitur të nxiste tensionet nacionaliste në mënyrë që të pengonte përparimin.

“Nacionalizmi është duke u ushqyer nga palë të treta (Rusia), interesi i të cilëve mund të jetë paqëndrueshmëria dhe mungesa e stabilitetit. Është një parim i rrezikshëm që ata po kërkojnë ta shfrytëzojnë”, tha ai.

“Rusia ka bërë më shumë deklarata publike për ngjarjet në Maqedoni sesa deklaratat e BE-së dhe e vendeve fqinje të Maqedonisë të marra së bashku. Ministria e Jashtme e Rusisë vëzhgon nga afër dhe është gjithmonë e para që komenton”, tha ai duke iu referuar përleshjeve politike në Maqedoni vitin e kaluar.

Ai shtoi se firma ruse Gazprom po zgjerohet në Serbi për hir të “interesave gjeopolitikë”.

Mali i Zi, i cili është anëtar i NATO-s, por që dikur ishte “një shesh lojrash për oligarkinë ruse”, është ende vulnerabël ndaj “ndërhyrjes politike të Rusisë”, tha ai.

“Edhe në Shqipëri (po ashtu një vend anëtar i NATO-s), ku mendonim se ishim imun ndaj ndërhyrjeve të Rusisë ... ekziston një hetim në proces mbi pohimet se kundërshtarët tanë politik kanë marrë mbështetje financiare (ruse) në shkelje të legjislacionit tonë”, tha ministri.

Përveç lojërave politike, Rusia gjithashtu mbetet e akuzuar se po përpiqej të organizonte një grusht shteti në Malin e Zi në vitin 2016 në një operacion të projektuar për të ndaluar atë nga bashkimi me NATO-n. “Shumica e shteteve të BE-së janë të bindur se Federata Ruse ishte pas grushtit të dështuar”, tha një diplomat i dytë i BE-së për EUobserver.

Kërcënimi rus

Mali i Zi nuk është më “objektiv kryesor” për Rusinë, tha diplomati, por “me siguri, Federata Ruse ka aftësinë për të nisur operacione të tjera në rajon”.

Diplomati foli për Kremlinin gjithnjë e më të guximshëm në konfrontimin e tij me Perëndimin, duke përfshirë këtu përpjekjen e Rusisë për të vrarë një ish spiun në zemër të NATO-s, në Britaninë e Madhe, duke përdorur një armë kimike në mars.

Nëse ka paqëndrueshmëri “serioze” në Ballkanin Perëndimor, kjo gjë mund të “ndante shtetet anëtare të BE” në përkrahjen ose jo të anëtarësimit, tha diplomati i BE. Ai shtoi se “problemet në Ballkanin Perëndimor i bëjnë vendet më pak tërheqëse në sytë e disa shteteve anëtare kur flasim për perspektivat e tyre për t'u bashkuar me BE-në.”

Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Bushati tha se anëtarësimi në NATO ndihmoi në mbrojtjen e aleatëve të vegjël nga truket e pista.

“NATO është një burim i rëndësishëm informacioni strategjik që vendet tona të vogla nuk mund të mbledhin më vete,” tha ministri.

“Solidariteti dhe mbështetja që aleatët treguan” për sulmin kimik në Mbretërinë e Bashkuar, duke dëbuar spiunë rusë dhe diplomatë, treguan vlerën e të qenit në bllokun perëndimor, shtoi ai.

“Ky realitet i ri kërkon qartësi rreth orientimit të një shteti”, tha ai para takimit të Sofjes.

“Sa më shumë vende të Ballkanit Perëndimor të jenë përfshirë në hapësirën euro-atlantike, aq më shumë stabilitet dhe paqe do të ketë për rajonin dhe Evropën në tërësi, tha ministri.



/Ora News.tv/