Përmbushet amaneti, eshtrat e Mid’hat Frashërit prehen në atdhe

Eshtrat e Mid’hat Frashërit, personalitetit të shquar të kulturës e të letrave shqipe, kanë mbërritur pas 69 vitesh në Shqipëri. Historianë e politikanë bënë homazhet e rastit në një ceremoni të organizuar në Akademinë e Shkencave. Eshtrat e shkrimtarit u varrosën pranë vëllezërve Frashëri, në parkun e Liqenit Artificial.

69 vite pas vdekjes në Nju Jork të SHBA, Mid’hat Frashëri prehet në Shqipëri, pranë varrezave monumentale të vëllezërve Frashëri.

Eshtrat e tij erdhën nga SHBA në aeroportin e Rinasit. Më tej, homazhet për shkrimtarin dhe atdhetarin e shquar u zhvilluan në Akademinë e Shkencave.

Dashamirës të Mid’hat Frashërit nga diaspora, por edhe historianë e vlerësuan këtë veprim si një ngjarje historike.

Kreu i Partisë së Ballit Kombëtar, Artur Roshi edhe pse aleat i PD-së, e ka vlerësuar veprimin e qeverisë për sjelljen e eshtrave.

Por, ndryshe nga aleati i PD-së, kreu i demokratëve, Lulzim Basha, tha se qeveria ka bërë thjesht detyrën.

Basha: Vlerësoj iniciativën e historianit Uran Butka, përkushtimin e deputetit demokrat Agron Shehaj. Qeveria si administratore e taksapaguesve nuk ka asgjë më pak se detyrimin të kryejë të gjithë procedurat për nderimin e këtij patrioti të madh.

Ndërsa, ish-kryeministri Sali Berisha, u shpreh se edhe pse historia është treguar e padrejtë me të, më në fund amaneti i tij u përmbush.

Berisha: Pavarësisht se në terësi historia nuk ka qenë e drejtë për Mid'hat Frashërin, përsëri ai sot vjen dhe pushon në vendin e tij për të cilin sakrifikoi gjithçka. Pushoi i nderuar nga mbarë shqiptarët. Kurse ata që urdhëruan eleminimin e tij fizik kanë përfunduar në koshin e plehrave të historisë së kombit shqiptar, është fjala direkt për Enver Hoxhën.

Për kthimin e eshtrave nga SHBA për në vendlindje të firmëtarit të pavarësisë dhe kryetarit të Kongresit të Manastirit, Këshilli i Ministrave akordoi fondin prej 3,239,400 lekë, për organizimin e procedurave të nevojshme ndërshtetërore.

Kliko ketu per FOTOGALERINE



EMISIONET