Se Vetëvendosje është duke shkuar drejt ndarjes tashmë këtë nuk e vë në dyshim askush. Ajo për të cilën mund të thuhet se është ende e paqartë tërësisht, është pozicionimi i të parit të Prishtinës Shpend Ahmeti. 

Shpend Ahmeti sot ishte i pranishëm gjatë ditës kur u bënë homazhe në shesh për Mon Balajn dhe Arben Xheladinin, të vrarë më 10 shkurt 2007 nga policë të UNIMIK-ut. Por, ai nuk mori pjesë në Tribunën e organizuar nga partia të cilës zyrtarisht ende i takon.

Në këtë tribunë, me temë: Pavarësia nga Pakoja e Ahtisaarit – kufizimet dhe pasojat, në të cilën mungonin dy kryetarë të komunave nga VV, Shpend Ahmeti e Qëndron Kastrati, dhe merrte pjesë Mytaher Haskuka i Prizrenit dhe Agim Bahtiri i Mitrovicës, shkruan gazetametro.net.

Aty nuk u panë as deputetët e VV-së që tashmë janë deklaruar hapur kundër praktikës së udhëheqjes së partisë nga Albin Kurti.

Lideri i rikthyer në krye të VV-së, Albin Kurti, partia e të cilit në zgjedhjet e fundit parlamentare doli më e votuara, nga kjo tribunë shihet se tani rrethohet nga figura politike, kryesisht nga ‘garda e vjetër’ e Lëvizjës, si Xhelal Sveçla, Liburn Aliu, Glauk Konjufca, Hysen Durmishi dhe Salih Zyba, në njërën anë, dhe në anën tjetër figurat që kanë aderuar në këtë parti, kryesisht nga PDK, ish LPK-istët, Hydajet Hyseni, Sami Kurteshi, Shemsi Syla dhe të tjerë.

Por, Kurtit tani i mungojnë në parti figurat kyçe me të cilët Lëvizja përfaqësohej viteve të fundit, dhe rriste votën vazhdimisht, si Shpend Ahmeti, Visar Ymeri, Dardan Sejdiu, Dardan Molliqaj, Donika Kadaj – Bujupi, Faton Topalli, Qëndron Kastrati, Shqipe Pantina, Dukagjin Gorani, Fisnik Ismaili, dhe figura të tjera, që shiheshin si pasqyra përfaqësuese e këtij subjekti politik.

Ky grup, pritet që shumë shpejt të formojë një grup parlamentar të ndarë nga Vetëvendosje, me më së paku dhjetë deputetë, e më pas edhe një subjekt të ri politik, socialdemokrat.

Vetëvendosje, me këtë rast nga parti e parë për nga numri i deputetëve në Kuvendin e Kosovës, do të dalë tek e treta, pas LDK-së dhe PDK-së.

Gjithashtu, partia e Kurtit, nga tri komuna që i kishte fituar në zgjedhjet e fundit parlamentare, do të humb qeverisjen në kryeqytet dhe në Kamenicë, për t’u mjaftuar vetëm me Prizrenin e Mytaher Haskukës.

/Ora News.tv/