Kantautori shqiptar Ermal Meta do të jetë këngëtari i parë shqiptar që do të prezantoj Italinë në EuroSong 2018.

Ermal Meta e këngëtari italian Fabrizio Moro, fitues të Sanremos 2018, do të marrin pjesë në Festivalin Europian të këngës që do të zhvillohet prej datës 12 maj në Lisbona të Portugalisë.

Të dy këngëtarët kanë konfirmuar se do të garojnë në këtë event të rëndësishëm muzikor me këngën e tyre "Nuk më keni bërë asgjë".

"Këngën do ta këndojmë në gjuhën italiane , kanë deklaruar këngëtarët, "për të evidentuar se përfaqësojmë vendin tonë."

"Jemi të nderuar për këtë pjesëmarrje", është shprehur kantautori shqiptar. "Temat që pëcjellim me këtë këngë fotografojnë plagë ende të hapura që mund të kenë një impakt të fortë tek publiku europian."

Kënga "Nuk më keni bërë asgjë" e Ermal Metas dhe Fabrizio Moros është një himn kundër frikës ndaj terrorizmit e triumfit të jetës ndaj cdo lloj lufte.

Ermal Meta i cili ka lindur në Fier, e që prej moshës 13 vjecare jeton në Itali, do të jetë këngëtari i parë shqiptar që do të prezantoj Italinë në Festivalin më të rëndësisëhm të muzikës europiane.

Shumë vite më parë një tjetër këngëtare italiane por me origjinë shqiptare, ka përfaqësuar Italinë në Festivalin Europian të këngës. Ajo është këngëtarja Ana Oxa, e lindur në Itali por me baba shqiptar, që më vitin 1989 ka marrë pjesë në Eurosong në duet me këngëtarin Fausto Lealin.

Kantautorit shqiptar Ermal Meta është aktualisht nga artistët më vlerësuar në muzikën italiane. Këngët e albumet e tij janë renditur në majat e hit parade-it italian.

Gjithashtu ai ka fituar cmime të rëndësishme në Festivalin e Sanremos.

Në vitin 2016 u rendit në vendin e tretë në kategorinë e të rinjve me këngën "Urrej përrallat".

Më 2017 vlerësohet me cmimin e kritikës "Mia Martini" për interpretimin e mrekullueshëm që i bëri këngës së Domeniko Modugnos "Amara Terra mia" si dhe mori cmimin e dytë me këngën e tij "E ndaluar të vdesësh".

E në edicionin e fundit të Sanremos 2018, Ermal Meta në duet me Fabrizio Moro vlerësohen fitues të këtij Festivali.

Ermal Meta sapo ka nxjerrë në tregun muzikor albumin e tij të ri "Non abbiamo armi" (Nuk kemi armë).

/Ora News.tv/