Në fund të janarit të këtij viti, emisioni investigativ "BOOM" në Rtv Ora News do të bënte publik rezultatet e  një investigimi  që evidentonin abuzime të shumta në Teatrin Kombëtar të Kukullave, një institucion artistik i cili mbahet nga fonde publike për t`i shërbyer publiku.

Emisioni “BOOM” provoi sesi shiteshin për interes të aktiviteteve private repertori i shfaqjeve të Teatrit të Kukullave; sesi çelësat e këtij institucioni i ishin besuar një gazetashitësi që kishte tezgën e tij pranë këtij institucioni dhe sesi kushtet e sigurisë në Teatrin e Kukullave vinin në rrezik fëmijët.

Një tjetër skandali i denoncuar në “BOOM”, ishte edhe ai i kupave të shpërndara me rastin e 70 vjetorit të Qendrës së Fëmijëve, të drejtuar nga Monika Lubonja.

Tenderi i këtyre kupave, u zhvillua 1 javë pas aktivitetit, ku mori pjesë edhe Ministrja e Kulturës.

Përballë këtyre skandaleve të njëpasnjëshme erdhi dhe reagimi i Ministrisë së Kulturës.

Me 16 mars, institucioni do të njoftonte largimin e Monika Lubonjës nga drejtimi i  institucionit më të rëndësishëm kulturor për fëmijë në vend dhe do të  shpallte konkursin për drejtorin e ri të QKKF.

Me 31 maj, Këshilli i Ministrave do të zyrtarizonte emërimin e aktorit Erion Isai drejtor të Teatrit të Kukullave.

I ftuar në emisionin "BOOM" vetëm dy javë pasi ka marrë detyrën e Drejtorit, Erion Isai pranon se shumëçka nuk ka shkuar si duhet në këtë institucion.

Teksa prezantoi vizionin e tij për administrimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrit të Kukullave, Erion Isai, tha se primare mbetet përmirësimi i produktit kulturor në Teatrin e Kukullave që është nga më të prapambeturit në fushat e të gjithë artit skenik në Shqipëri.

Isai tha ndër të tjera se ka kërkuar audit të plotë të institucionit, duke paralajmëruar edhe masa ndaj përgjegjësve nëse konstatohen parregullsi.

Të gjitha lajmet për skandalin në Teatrin e Kukullave denoncuar në BOOM

Pjesë nga intervista e aktorit në "BOOM"

Ke pasur hyrje të reja?

Isai: Të punësimeve? Jo. Nga 1 qershori që jam në detyrë, nuk ka ende asnjë punësim në Teatër sepse çdo punësim për aktor dhe regjisor do të bëhet publike në faqen QKKF.gov.al e cila do të rikthehet në punë brenda dy ditëve se është një faqe jo funksionale. Do të bëhet me thirrje të hapura, publike, transparente dhe me audicion.

Ka pasur pakënaqësi nga aktorët që aspirojnë për të qenë pjesë e Teatrit të Kukullave.

Isai: Pakënaqësitë ndoshta qëndrojnë për raste specifike që unë i kam njohur së jashtmi dhe patjetër sistemi brenda aty ku ka ceduar nuk do të cedojë më. Do të jetë një audicion që ne do ta mendojmë në faza sepse është audicion specifik. Mund të kemi aktorë shumë të mirë por aktorët në 90% të shfaqeve kanë si përdorim kukullën.Do të hapim një kurs intensiv për specializimin e artyre që dëshirojnë të aplikojnë nëpërmjet kukullave. Do kontaktoj këto ditë zonjat e nderuara që janë në pension nga ai teatër që janë mjeshtre të kukullave Bakie Baboçi, Marilda Furxhi etj. Unë jam prind i ri dhe e nis nga ky aspekt, qasja ime sesi dua dhe çfarë produkti dua që fëmija im të shikojë për tu rritur me kulturë. Të themi atë që është, produkti kulturor në Teatrin e Kukullave është nga më të prapambeturit në fushat e të gjithë artit skenik në Shqipëri dhe qëllimi im i parë është ky: Të rrisë dukshëm cilësinë e shfaqeve dhe produkteve menjëherë që në shtator. Jemi në kontakte me katër regjisorë shumë seriozë të huaj dhe nuk do të kemi 1 dhe 2 por 3 apo 4. Do të fusim teknologjinë si pjesë përbërëse të shfaqeve. Shumë shpejt në Teatër do të kemi shfaqen e parë 3D, kukullat dhe projeksioni 3D në teatër.

Po buxheti?

Isai: Buxheti i këtij viti në teatër për shkak të zhvillimeve është totalisht i paprekur, është 100% në dispozicion të shfaqeve. Buxheti për produkte artistike është 3.5 milion lekë të reja.Për të katër regjisorët kemi konktakte për ti paguar kompani private, kemi një kompani që është e gatshme që të kontribuojë që nesër me rikonstruksionin e fasadës së teatrit. Teatri i Kukullave ka nevojë imediate për ndërhyrje. Sapo kam hyrë në zyrë kam marrë rastet specifike që ju keni denoncuar në emision, të sigurisë së institucionit të cilat qëndrojnë.Në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës kemi marrë masa të menjëhershme, jemi duke zbërthyer buxhetet e nevojshme dhe shumë shpejt brenda këtij muaji do të hapim aplikimin për të pasur siguri të plotë në institucion.

Fikset e zjarrit janë tashmë?

Isai: Fikset e zjarrit do të kolaudohen brenda këtyre dy ditëve por për shkak të disa procedurave që unë jam drejtor i sapoemëruar duhet të bëj ndryshimet nevojshme ligjore dhe do të kolaudohen. Por institucioni ka nevojë për ndërhyrje imediate në skenë. Aktorët kur zhvillojnë shfaqe jo me gropë por në skenë, janë të pasigurt nëse podet që mbyllin gropën mund të bien ose jo, magazina e institucionit ka nevojë lër ndërhyrje të menjëhershme. Godina është e mbrojtur dhe ne i kemi drejtuar shkresë IMK-së për të bërë një skanim të menjëhershëm të institucionit sepse kemi kontakte serioze të kompanive të cilat pa ndryshuar arkitekturën, pa prishur gjërat kryesore të Monumenteve të Kulturës të riparojmë objektin brenda.

Çelësin kush e mban sot, gazetashitësi?

Isai: Çelësin e mbajnë një komision i ngritur nga unë për këtë çështje për sigurinë e teatrit deri në monentin që do marrim punonjësin sezonal dhe të mbyllim procedurat e tenderimit të kompanive. Unë jam prezantuar nga Ministrja dhe kam gjetur gjithë stafin aty me çelësa në dorë, një kopje ishte për mua dhe një e kishte zonja që është përgjegjëse.

Do ketë ndopnjë të dielë pushim siç ka ndodhur më parë?

Isai: Teatri është publik, kam mbyllur kalendarin deri në 1 korrik kur kemi detyrimin të japim shfaqe. Pas datës 1 korrik kemi mbyllur një kalendar me evente në të gjitha njësitë qëndrore turistike të vendit.

Deri dje aktorët funksiononin me kontrata sezonale, ju keni thënë që kush nuk ka rol nuk mund të rinovojë kontratën.

Isai: Kontrata e aktorëve nuk është dorë të drejtorit por produktit artistik.Aktorët duhet të kenë angazhim në shfaqet e repertorit dhe shfaqet e reja që të gëzojnë një kontratë. Sa kohë janë të angazhuar artistikisht kanë pacënueshmërinë institucionale të të qënit në punë.Institucioni duhet të funksionojë jo vetëm të premte, të shtunë dhe të dielë por të kemi mundësi të kemi një teatër nga e marta në të dielë me shfaqe. Do kërkojmë një bashkëpunim me DAR Tiranë, do ndërtojmë katër shfaqe në vit për shfaqe të turneut. Ne jemi institucion kombëtar. Katër shfaqe në vit në sistem rrotullimi do të shkojë në 61 njësitë vendore. Do kemi nevojë të bëjmë thirrje dhe për aktorë të jashtëm.

Pse nuk ka funksionuar deri dje QKKF.gov.al?

Isai: Nga një marrëveshje me AKSH, unë e zgjidha shumë shpejt.

Shfaqet do të transmetohen në ndonjë televizion?

Isai: Ende nuk kemi lidhur ndonjë kontratë, për të lidhur këtë kontratë duhet të kalojë në të gjitha procedurat ligjore shtetërore sepse një ofertë mund të jetë më e mirë se tjetra. Besoj se do të hapim thirrje publike se cila do të jetë oferta më e mirë. Jam i predispozuar për ta ofruar këtë shërbim që na japin mundësi për të gjeneruar edhe sponsera. Nëse një shfaqe do ta kemi në yotube do ti bashkangjiten edhe sponserat por të gjitha këto do të kalojnë në bazë të procedurave për të respektuar të gjitha ligjet.

Kemi dëgjuar çudira nga Teatri i Kukullave. Jo më larg se në 1 qershor, në Teatrin e Kukullave është vënë një shfaqe ku trupa teatrore e Teatrit të Kukullave nuk ishte sepse ishte në një shfaqe tjetër tek Liqeni dhe në shfaqe kanë marrë pjesë punëtorët e skenës. Është e vërtetë kjo?

Isai: Në detyrë kam shkuar dy ditë mbrapa 1 qershorit pavarësisht se ermërimi ka dalë me 31 maj. Jemi në shqyrtim të rastit. Nuk kam qenë në dertyrë për të mbajtur një pozicion zyrtar por do të them një gjë: Prej ditës që unë kam shkelur në atë zyrë, punëtori i skenës do të bëjë vetëm punëtorin e skenës, aktori do të bëjë vetëm aktorin, të gjithë në detyrën e vet. Nëse është i talentuar mund të ngrejë një trupë private, të bëjë shfaqe private.

Lidhur me kostumet, sërish burimet tona thonë që janë larguar shumë kostume të shfaqeve të kaluara, që janë vënë në skenë vite më parë. Janë zhdukur.

Isai: Unë jam Drejtor i ri në detyrë, kjo është java ime e dytë në punë.Për të marrë në dorëzim gjendjen ka katër ditë që kam bërë shkresë zyrtare në Ministrinë e Kulturës dhe kam kërkuar një audit të plotë të të gjithë institucionit. Kam ngrirë veprimet e hyrje-daljeve në magazinë dhe garderobë në dy institucionet, Qendrën Kombëtare të Kulturës për Fëmijë dhe Teatrin e Kukullave. Kostumet nuk mund të zhduken nga hiçi, ka fletë hyrje dhe fletë dalje. Nëse kjo ka ndodhur sipas dokumentacionit dhe gjetjeve të auditit sigurisht që do ketë procedime të nevojshme penale, administrative.

Ju keni në plan të bëni ndonjë spektakël ku të shpërndani kupa dhe tenderi të bëhet dy javë pasi janë shpërndarë kupat?

Isai: Unë do të organizoj përmes aplikimeve të Bordit dhe kur të gjitha procedurat ligjore të të gjithë elementëve të spektaklit që do të ndodhë të kenë përfunduar, atëherë ajo do të shfaqet.

Stafi i Teatrit të Kukullave do të lejohet të vendosë shfaqe privatisht?

Isai: Çdo punonjës duhet të paraqesë një kërkesë me shkrim për një punë të dytë që ai bën, ku institucini vërteton nëse ka përplasje apo cënon detyrën apo jo. Shfaqet e Teatrit janë të Teatrit, nuk do të ndodhë.


/Ora News.tv/