Turqia kurrë nuk do të pranojë vendimin e SHBA-s për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin e Izraelit, tha të martën presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan.

"Ne kurrë nuk do të pranojmë përpjekjet e SHBA për të lëvizur ambasadën në Jerusalem dhe për të njohur Jerusalemin si kryeqytetin izraelit", tha Erdogan gjatë një konference të përbashkët shtypi me kryeministrin britanike Theresa May, pas takimit të tyre në Londër.

Erdogan tha se "politikat indiferente" të qeverisë së SHBA nxitën më shumë Izraelin për okupimin dhe dhunën në Palestinë.

"Historia nuk do t'ju falë, ne do ta shohim këtë realitet; historia kurrë nuk do ta falë Izraelin, ne do ta shohim edhe këtë", shtoi Erdogan.

May, nga ana e saj, bëri thirrje për një "hetim të pavarur dhe transparent për të zbuluar se çfarë ndodhi dje në Gaza".

Të paktën 61 palestinezë u vranë dhe mijëra të tjerë u plagosën nga forcat izraelite përgjatë kufirit të Gazës gjatë protestave që shënuan përvjetorin e Nakba dhe zhvendosjen e Ambasadës së SHBA nga Tel Avivi në Jerusalem.

Tubimet kufitare filluan më 30 mars, më shumë se 100 demonstrues palestinezë janë vrarë nga armë zjarri ndërkufitare izraelite, sipas Ministrisë së Shëndetit Palestinez.

Javën e kaluar, qeveria izraelite tha se protestat e vazhdueshme kufitare përbënin një "gjendje lufte" në të cilën ligji ndërkombëtar humanitar nuk zbatohej.

/Ora News.tv/