Erdogan në Romë, gjykatës e gazetarë letër Presidentit, polemika politike

Erdogan në Romë, gjykatës e gazetarë letër Presidentit,

Presidenti turk Rexhep Taip Erdogan ka nisur sot në Romë një vizitë zyrtare 24 orëshe ku do të takohet me Atin e Shenjtë Papa Françesku, Sekretarin e Shtetit të Vatikanit Piero Karolin, Presidentin italian Sergio Mattarella  dhe kryeministrin e vendit Paolo Gentiloni.

Shoqata Kombëtare e Gjyqtarëve Italianë dhe Federata Kombëtare e Mediave i kanë dërguar sot Presidentit të Republikës italiane, Sergio Mattarella, një letër ku kërkohet që gjatë takimit të tij institucional me Presidentit turk t'i kushtohet vëmëndje çështjes së të drejtave njerëzore të dhunuara në Turqi.

"Në Turqi shkeljet e vazhdueshme të të drejtjave njerëzore dhe spastrimet e përsërituara përbëjnë një shqetësim të madh, shkruajnë ata. Gjykatës, gazetarë, avokatë, mësues, mjekë, nëpunës civilë, ushtarakë, janë shkarkuar nga puna e në shumë raste janë dhe arrestuar e ende janë në gjëndje arresti në mungesë të akuzave ndaj tyre e të së drejtës për t'u mbrojtur. Kjo situatë dhunon principet themelore të shtetit të së drejtës dhe shumë herë është sinjalizuar nga Komuniteti Ndërkombëtar. E ndjejmë të domosdoshme të evidentojmë këtë emergjencë me rastin e vizitës së Rexhep Taip Erdogan në Itali duke shpresuar që gjatë takimit tuaj institucional e me format të konsideruar më të përshtashme nga ju, të tërhiqet vëmëndja ndaj çështjes së shkeljes së të drejtave të njeriut duke kërkuar dhe lirimin e personave të burgosur në mënyrë të padrejtë."

Ndërkohë në Itali nuk kanë munguar dhe polemikat politike për vizitën që Presidenti turk po zhvillon në vend. 

Lideri i Lidhjes së Veriut, Matteo Salvini, ka deklaruar se është një turp që Erdogan të mirëpritet në Itali.

"Më vjen turp, tha ai që Italia mikpret përfaqësuesin e një regjimi ekstremist të përgjakshëm, të një vendi islamik me fakte, ku besimi fetar komandon ligjin. Pranimi i Turqisë në BE do të ishte një shkatërrim."

EMISIONET