Çështja e kufirit të Kosovës me Malin e Zi ndodhet në parlamentin e Kosovës, por shanset e miratimit të saj duken të vogla.

Ligjvenësi amerikan Eliot Engel, i cili sapo është kthyer nga një vizitë në Kosovë, thotë për Zërin e Amerikës se është në interes të Kosovës ta ratifikojë marrëveshjen dhe të ecë përpara me integrimet e tjera evropiane.

Por nëse ata e refuzojnë, atëhere duhet të jenë të gatshëm të përballen me pasojat.

Eliot Engel: Mendoj se keni të drejtë, sidomos për faktin që Mali i Zi është një vend miqësor dhe jo armik dhe shumë gjëra mes qeverisë së Kosovës dhe asaj të Malit të Zi zgjidhen mbi baza miqësore. Mendoj se ka disa gjëra për të cilat nuk bëhen lëshime, por ka edhe të tjera për të cilat mban një qëndrim dhe lëshon nga pak. Mendoj se kjo është pikërisht njëra nga këto çështje. Unë e kuptoj se kjo është një çështje e ndërlikuar për të cilën njerëzit kanë emocione të forta. Di gjithashtu se më parë është arritur një marrëveshje, pra zyrtarët në Kosovë kanë rënë dakord për shënimin e kufirit. Por është krijuar një gjendje e vështirë. Unë do të doja që këtë çështje ta linim pas dhe të ecnim përpara për gjëra më të rëndësishme. Nëse nuk ratifikohet, ajo do të mbetet pezull dhe Bashkimi Evropian do ta përdorë këtë si një element trysnie mbi kokën e Kosovës. Kjo më shqetëson shumë.

Në intervistën për shefin e shërbimit shqip Arben Xhixho, zoti Engel ndalet edhe tek roli i Shteteve të Bashkuara në Ballkanin Perëndimor si dhe përpjekjet e Rusisë për të penguar integrimin e këtyre vendeve në Bashkimin Evropian.

Zëri i Amerikës: Ballkani Perëndimor ndeshet sot me shumë sfida, një prej të cilave është ndikimi i Rusisë. Nënpresidenti Pence gjatë vizitës në Mal të Zi, jo shumë kohë më parë, tha se “Rusia punon për të destabilizuar rajonin, për të minuar demokracitë, për të përçarë vendet e rajonit nga njeri tjetri dhe nga pjesa tjetër e Evropës”. Sa i shqetësuar jeni ju nga roli i Rusisë?

Eliot Engel: Jam i shqetësuar. Deklarata që ju lexuat nga nënpresidenti Pence, godet pikërisht aty ku duhet. Nënpresidenti ka qënë anëtar i kongresit. Kemi shërbyer së bashku në Komisionin e Dhomës së Përfaqësuesve për Çështjet e Jashtme. Ai është shumë serioz kur bëhet fjalë për çështjet e jashtme. Ai i njeh problemet dhe mbështet angazhimin e Amerikës. Shpresoj ta përfshijë atë pasi ai e kupton Ballkanin. Por, pa dyshim, ndikimi rus është një problem i madh, jo vetëm në Ballkanin Perëndimor, por edhe në vende të tjera. Rusët ndërhynë në zgjedhjet amerikane duke u përpjekur të ndikojnë në fitoren e Donald Trumpit, ata përpiqen të ndikojnë në zgjedhjet në vende të tjera, në vendet demokratikee, aleate me ne, qoftë në Britani, në Francë apo Gjermani, apo edhe në Ballkanin Perëndimor. Ekzistojnë lidhje të ngushta mes Rusisë dhe Serbisë. Kjo është shumë shqetësuese. Kur u takova me presidentin Vuçiç këtu në Uashington, ia përmenda këtë. Kjo është edhe një arësye se përse Shtetet e Bashkuara duhet të kenë një ndikim më të madh. Përgjigja jonë nuk duhet të jetë të kthejmë kurrizin dhe të largohemi, ose të shkurtojmë programet e përpjekjet në Ballkan. Ne duhet t’i dyfishojmë ato. Kosova dhe Shtetet e Bashkuara, pavarësisht se kush ka qënë në pushtet, republikanët apo demokratët, kanë patur marrëdhënie të ngushta dhe dy vendet tona kanë qënë shumë pranë. Unë gjithmonë jam përpjekur dhe do të vazhdoj të përpiqem që Shtetet e Bashkuara të qëndrojnë përkrah popullit të Kosovës, përkrah qeverisë së Kosovës. Unë do të jem pranë tyre. Kryeministri Haradinaj është një mik i vjetër prej kohe, ashtu siç është edhe presidenti Thaçi. Lidhja mes dy vendeve tona duhet të forcohet dhe unë do të bëjë gjithshka mundem që kjo të ndodhë.

/Ora News.tv/