Emri i Maqedonisë, takim “sekret” Kotzias-Dimitrov

Emri i Maqedonisë, takim “sekret” Kotzias-Dimitrov

Ministrat e jashtëm të Greqisë dhe Maqedonisë, Nikos Kotzias dhe Nikola Dimitrov  janë angazhuar që të kenë një rol më energjik të negociatat për zgjidhjen e çështjes së emrit, me qëllim që të kapërcejnë mosmarrëveshjet.

Kështu vihet në dukje në një njoftim të ministrisë së Jashtme greke, menjëherë pas përfundimit të takimit që shefat e diplomacive të Athinës e Shkupit zhvilluan të enjten pasdite, në rrethana tepër konspirative.

Askush në Greqi nuk e dinte më herët se ku do të mbahej takimi, që përfundimisht, sipas njoftimit, u zhvillua në Selanik.

Përpjekjet për zgjidhjen e mosmarrëveshjes mbi çështjen e emrit duket se kanë dominuar bisedën e dy ministrave. Por njoftimi i ministrisë së Jashtme greke është ndalur vetëm tek pritshmëria e përbashkët e tyre nga rifillimi i bisedimeve dypalëshe, më 17 janar në selinë e OKB në Nju Jork. Kotzias e Dimitrov presin nga negociatori Matthew Nimetz, që të “prezantojë një kornizë fillestare brenda së cilës do të avancojë procesi i negociatave”.

Më tej, njoftimi thotë se dy ministrat diskutuan mbi metodën që do të ndiqet, përafrimit të të dy palëve dhe kuadër të çështjes së emrit.

Pa dhënë detaje të tjera, njoftimi nënvizon se Kotzias e Dimitrov kanë rënë dakord që të ndërmarrin një rol më energjik në negociatat, me qëllim që të kapërcejnë mosmarrëveshjet në çështjen e emrit.

Ky takim i papritur ka shkaktuar një farë habie tek analistët grekë. Dhe kjo për faktin se Kotzias e takoi Dimitrovin vetëm 72 orë pasi kishte pritur në Athinë zëvendëskryeministrin e Maqedonisë Bujar Osmani, që përfaqëson partinë shqiptare Bashkimi Demokratik për Integrim.

EMISIONET