Emri i Maqedonisë, partitë nisin fushatën për referendum

Emri i Maqedonisë, partitë nisin fushatën për referendum

LSDM-ja jozyrtarisht është tashmë në fushatë për referendumin mbi emrin, edhe pse nuk dihet se kur do të mbahet referendumi. Social-demokratët janë të kënaqur që e gjithë bota demokratike mirëpriti zgjidhjen e mosmarrëveshjes për emrin. Ata thonë se dyert e NATO-s dhe Bashkimit Evropian janë të hapura për vendin dhe prandaj kërkojnë mbështetjen e qytetarëve për referendumin.

"Para nesh është një mundësi historike. Qytetarët në referendum do ta kenë fjalën e fundit. Le ta përdorim këtë shans. Në referendum, duhet të themi me vendosmëri “po” për një identitet të garantuar maqedonas, të themi me vendosmëri “po” për hyrje në NATO dhe Bashkimin Evropian" – tha Kostadin Kostadinov, deputet i LSDM-së.

Nëse referendumi është konsultativ dhe jo i detyrueshëm, atëherë VMRO DPMNE nuk do ta njohë atë si vullnet i popullit, thotë lideri i partisë opozitare Hristian Mickoski. Por ai në emisionin “Rruga drejt…” nuk iu përgjigj drejtpërdrejt pyetjes – nëse referendumi është i detyrueshëm, a do ta ftojë anëtarësinë të dalë të votojë.

"E drejta elementare demokratike e çdo qytetari në këtë vend është të vendosë nëse do të votojë apo jo. Gjithashtu, e drejta elementare demokratike e çdo qytetari në këtë vend është nëse ai vendos të votojë, t’i garantohet privatësia, nëse ai do të votojë për njërin ose tjetrin, nëse janë zgjedhje, dhe nëse do të jetë Për ose Kundër, nëse është votim referendum. Pra, në korniza të Kushtetutës dhe të të drejtave të qytetarëve, ju duhet ta kërkoni përgjigjen e partive politike", u shpreh Hristijan Mickovski, VMRO DPMNE.

Nga VMRO-DPMNE thonë se janë për në BE dhe NATO, por se nuk ka qenë patjetër të arrihet, siç thonë, zgjidhje e këtillë e dëmshme për emrin.

"VMRO-DPMNE gjithmonë ka qenë me orientim properëndimor dhe patjetër të dihet se anëtarësimi është rezultat i sistemit të mirë të meritave, e jo rezultat i asaj që mund të heqim dorë dhe të shesim. Nga ana tjetër tani të gjithë duhet të jetojmë me pasojat e marrëveshjes që e bëri Zoran Zaev", tha Naum Stoilkovski, zëdhënës i VMRO-DPMNE-së.

Nëse VMRO-DPMNE fton për bojkotimin e referendumit, disa ekspertë tashmë kanë analizuar se kjo do të thotë shkelje e qëndrimit të cilin partia e përsëriste me vite, e ajo është se fjalën e fundit për emrin do e kenë qytetarët në referendum.

Alsat-M

EMISIONET