Greqia është ende larg zgjidhjes së çështjes së emrit me Maqedoninë, pavarësisht progresit të shënuar në bisedimet mes dy vendeve. Ka qenë kjo fjala e zëdhënësit të qeverisë greke Dimitris Tzanakopoulos në një deklaratë për shtyp. “Në bisedimet tona të vazhdueshme me fqinjët tanë, është shënuar përparim i rëndësishëm, por jemi ende shumë larg konkludimit të negociatave dhe arritjes së një marrëveshjeje,” u shpreh zëdhënësi i qeverisë.

Kryeministrat e Greqisë dhe Maqedonisë pritet të takohen në Bullgari këtë të enjte, në kuadër të samitit të Bashkimit Europian dhe Ballkanit Perëndimor. Tzanakopoulos u shpreh se ky takim do të jetë “i dobishëm dhe i rëndësishëm” por se dy vendeve mund t’ju duhet një raund i ri bisedimesh për të zgjidhur këtë çështje.

Greqia i ka kërkuar Maqedonisë të ndryshojë emrin dhe të rishikojë kushtetutën për të përjashtuar ato që Athina konsideron si referenca “irredentiste” të cilat tregojnë ambiciet territoriale të Shkupit. Tzanakopoulos u shpreh se marrëveshja duhet të jetë gjithëpërfshirëse dhe të përvijojë objektiva konkrete. “Nuk do të jetë një zgjidhje që do të arrihet duke shtypur një buton,” u shpreh Tzanakopoulos ndërsa përsëriti se Greqia kërkon një emër të përbërë që do të përdoret në të gjitha forumet ndërkombëtare.

/Ora News.tv/