Komisioneri Europian për Emigracionin Dimitris Avramopulos ka paralajmëruar ashpërsimin e rregullave për marrjen e vizave, si mënyrë për të frenuar emigracionin e jashtëligjshëm drejt Europës. Në një konferencë për shtyp, Avramopulos deklaroi se BE do të vijojë bashkëpunimin me Turqinë për të ndihmuar refugjatët sirianë, ndërkohë që nxiti palët të bashkëpunojnë në rastet e riatdhesimit.

Bashkimi Europian do të vijojë bashkëpunimin me Turqinë mbi emigracionin dhe do të kufizojë udhëtimin për vendet që refuzojnë të riatdhesojnë qytetarët të cilëve ju refuzohet kërkesa për azil në Europë.

Komisioneri për Emigracionin Dimitris Avramopulos deklaroi se blloku europian do të kontribuojë 3 miliardë euro në projektet që ndihmojnë refugjatët sirianë në Turqi.

Nga një konferencë për shtyp, Avramopulos gjithashtu propozoi monitorimin e rregullt të mënyrës si palët e treta bashkëpunojnë për riatdhesimin e emigrantëve.

“Komisioni do të rekomandojë procedura më të rrepta për vizat për vendet që nuk pranojnë të bashkëpunojnë, me shpresën se kjo do të inkurajojë ndryshime në politikat e tyre”, u shpreh Avramopulos.

Komisioneri grek gjithashtu deklaroi se paketa e propozuar do të përmirësojë aplikimin për viza për udhëtarët e rregullt, duke e shkurtuar në 10 ditë marrjen e përgjigjes.

Aktualisht, qytetarë nga 105 vende të botës duhet të marrin vizë për të udhëtuar drejt zonës Shengen.

Avramopulos deklaroi se në 2016, janë siguruar 15 milionë leje të tilla hyrjeje.



/Ora News.tv/