Emërimi i Martin Selmayr "përçan" Brukselin

Emërimi i Martin Selmayr "përçan" Brukselin

Anëtarë të Parlamentit Europian kanë dënuar emërimin e beftë të Martin Selmayr si Sekretarin e Përgjithshëm të Komisionit Europian. Gjatë një debati plenar në Strasburg mbi caktimin e tij në pozicionin më të lartë civil të komisionit, përfaqësues nga çdo kah politik shprehën njëzëri pakënaqësinë e tyre për zgjedhjen e Selmayr. Për europarlamentarët, emërimi nuk ishte transparent dhe shkatërron besueshmërinë brenda Bashkimit Europian.

47-vjeçari Martin Selmayr cilësohet nga mediat britanike si “Rasputini i Brukselit” për shkak të reputacionit të tij si person me influencë të jashtëzakonshme. Më parë, ai ka shërbyer si Drejtues i Stafit për Presidentin e Komisionit Europian Jean-Claude Juncker, për të cilin ka punuar edhe si drejtor fushate. Raportohet madje se Presidenti Juncker i referohet Selmayr si “përbindëshi” për shkak të aftësisë së tij për të punuar me orë të gjata.

Parlamenti nuk mund ta shkarkojë Selmayr nga detyra, por mund të rinxisë polemikat që u shfaqën 3 javë më parë, kur emërimi i tij surprizë u prezantua para komisionerëve. Europarlamentarët kanë kërkuar që Presidenti Juncker të tërhiqet nga vendimi, përndryshe komisioni i tij do të ketë të njëjtin fat me Komisionin Santer, që në 1999 u detyrua të dorëhiqej pas një skandali nepotizmi. Një tjetër fakt që nuk shihet mirë tek Selmayr është edhe kombësia e tij gjermane, që ka ngritur shqetësime në Bruksel se shteti më i madh anëtar i BE-së ka më shumë ndikim se ç’duhet në institucionet e përbashkëta europiane.

EMISIONET