Gjykata e Shkallës Parë në Elbasan ka shtyrë çështjen ndaj Shkëlzen Hasanpapës, 20 vjeçari i dyshuar në atentatit  kundër pjesëtarëve të familjes Çapja në Elbasan.

Seanca u shty për shkak të mungesës së avokatëve ndërsa prokuroria e cilësoi këtë si një strategji dhe kërkoi zëvendësimin e avokatëve me të tjerë kryesisht dhe pezullimin e afateve të paraburgimit.

Në qershor të vitit 2016 Hasanpapa tentoi të vriste Florenc Çapen dhe mikun e tij Bledar Muça, duke derdhur një breshëri automatiku mbi makinën me të cilën ata udhëtonin. Në këtë ngjarje mbeti e plagosur edhe një oficere policie.

Shkëlzen Hasanpapa u identifikua si autor i dyshuar i kësaj ngjarje pas identifikimit që ju bë AND-së së provave të gjetura me AND e prindërve të tij. Pasi u shpall në kërkim ai u arrestua në Holanda në shkurt të vitit 2017 ndërsa pas ekstradimit nisi gjykimi i tij në Shqipëri.

Edhe pse u dyshua fillimisht si vrasës me pagesë, ndaj Hasanpapës aktualisht rëndojnë akuzat e plagosjes së lehtë me dashje, kanosje dhe armëmbajtje pa leje.

Procesi i sotëm u zhvillua në masa të rrepta sigurie. E gjithë zona pranë gjykatës së Elbasanit ishte e blinduar me forca të shumta policie, po ashtu dhe rrugët kryesore të qytetit ishin nën monitorim të policisë.

 

/Ora News.tv/