Ekzekutimi i pronarit të bujtinës, dyshime për vrasës me pagesë

Ekzekutimi i pronarit të bujtinës, dyshime për vrasës me

Ekzekutimi me 20 plumba i biznesmenit të bujtinave Ferdinand Polia të mërkurën në Shkodër mund të jetë bërë nga vrasës me pagesë, por motivet mbeten të paqarta për familjen dhe policinë.

Familja ka hapur dyert e mortit, ndërsa të afërmit nuk janë në gjendje të japin një motiv pse mund të ketë ndodhur.

Sipërmarrësi njihej për aktivitetin në fushën e turizmit dhe të qenit aktiv në trajtimin e problematikave që ka zona, por nuk ka pasur konflikte të njohura publikisht.

As kolegët e 32-vjeçarit në Administratën e Zonave të Mbrojtura nuk kanë dijeni që ai të kishte konflikte.

Ata thonë se ishin takuar me Ferdinand Polinë vetëm dy orë para se ai të ekzekutohej në pritën me armë.

Agim Dardha:  "Nga ana sesi ai komunikonte me të gjithë kolegët, ne nuk vërenim asgjë tjetër përvec humorit dhe buzëqeshjes që e ka karakterizuar gjithmonë."

Age Martini: "Ne dje folëm për planet që kemi për sezonin turistik dhe për Thethin."

Dëshmitari që udhëtonte me 32-vjeçarin në makinë nuk ka mundur të orientojë drejt një piste hetimi për motivin.

Ai ka thënë se në momentin që autori u kishte prerë rrugën kishte pyetur Ferdinand Polinë nëse e njihte atë njeri. Dhe sipas tij përgjigja e viktimës ka qenë mohuese.

Ekspertët dyshojnë për një vrasës me pagesë, i cili ka studiuar me herët terrenin dhe lëvizjet e viktimës. 

Hetuesit kanë vijuar me orë të zgjatura pyetjen e punonjësve të servisit ku 32-vjeçari ka marrë makinën para se të vritej. Pas mesditës së të enjtes policia sekuestroi kamerat e sigurisë tek Ura e Mesit pas dyshimeve se autori ka lëvizur në këtë itinerar pasi ka kryer vrasjen. 

Hetuesit shpresojnë që nga kamerat të gjejnë edhe momentin kur autori ka djegur motorin në krahun tjetër të urës, megjithëse vrasësi është kujdesur të veprojë në një zonë ku kamerat nuk kanë fushëpamje.

Nard Polia la pas vajzën 3 vjeçare dhe gruan shtatzënë, sikurse edhe misterin e një ekzekutimi.

EMISIONET