Julian Assange  e keqpërdori statusin prej azilanti të dhënë nga Ekuadori shtatë vite më parë për të formuar një qendër spiunazhi e cila po përdorej kundër shteteve të huaja. Presidenti ekuadorian thotë se dorëzimi i tij te autoritetet angleze të enjten e kaluar ishte i bazuar në ligjin ndërkombëtar. Ndërkaq themeluesi i Wikileaks po gjykohet për disa akuza dhe do të kërkojë garanci për të mos u ekstraduar në Shtetet e Bashkuara, ku mund të përballej me 5 vite burg.

Bashkëthemeluesit të Wikileaks, Julian Assange, iu revokua e drejta e azilit nga Ekuadori një javë më parë pasi po e shfrytëzonte strehimin e përkohshëm nga ambasada e vendit në Londër për qëllime spiunimi.

Këtë shkak citoi të dielën presidenti ekuadorian, Lenin Moreno, në një intervistë dhënë për gazetën britanike, "The Guardian".

Moreno: "Është për të ardhur keq që nga territori ynë, me lejen e autoriteteve të qeverisë së mëparshme, në ambasadën ekuadoriane në Londër u vu në dispozicion një hapësirë e cila përdorej për të ndërhyrë në proceset e shteteve të tjera. Nuk mund të lejojmë që shtëpia jonë, që hapi dyert e saj, të kthehet në një qendër spiunazhi. Vendimi nuk është fare arbitrar por i bazuar në ligjin ndërkombëtar."

Arrestimi i Assange të enjten e kaluar erdhi me kërkesë të qeverisë ekuadoriane, e cila urdhëroi largimin me forcë të gazetarit australian nga ambasada ku ai strehohej si azilant prej vitit 2012.

Marrëdhëniet mes tij dhe Ekuadorit nisën të përkeqësohen me ardhjen në pushtet të presidentit Moreno, ndaj të cilit Wikileaks më herët kishte publikuar edhe informacione nga jeta private e presidentit.

Në Britaninë e Madhe, Assange përballet me një dënim maksimal prej 12 muajsh heqje lirie për shmangie të autoriteteve vendase 7 vite më parë.

47-vjeçari gjithashtu rrezikon ekstradimin në Suedi apo Shtetet e Bashkuara, ku akuzohet përkatësisht për ngacmim seksual dhe për vjedhjen e qindra mijëra raporteve sekrete të ushtrisë amerikane për luftërat në Afganistan, Irak, apo për publikimin e shkëmbimeve diplomatike mes ambasadave të botës.

/Ora News.tv/