Çështja e Arbër Çekajt, i arrestuar në Gjermani si i dyshuari për porositjen e 600 kg kokaine të kapur në portin e Durrësit ka marrë një tjetër kthesë.

Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj bëri të ditur se kjo nuk është më një çështje ekstradimi, por çështje e hetimit të përbashkët mes autoriteteve shqiptare dhe atyre gjermane.

Fatmir Xhafaj: Ka një ndryshim në këtë gjë. Nuk është çështje ekstradimi më, por hetimi të përbashkët dhe mbetemi këtu se nuk më takon mua. U takon autoriteteve të hetimit të Prokurorisë së Krimeve të Rënda, të policisë shqiptare dhe zyrës përkatëse të policisë kriminale gjermane.

Çekaj po hetohet në dy shtetet për akuzën e trafikut të lëndëve narkotike.

Në lidhje me kapjen e kokainës u arrestuan shoferi i kamionit Armano Pezaku dhe menaxheri i magazinës Donaldo Lushaj, të cilët nuk e kanë pranuar se kanë patur dijeni për drogën.

Në 28 shkurt në një kamion që transportonte banane u zbuluan 613 kilogramë kokainë të fshehura në një dysheme të dyfishtë të mjetit.

Në atë kohë kamioni u lejua të kalonte procedurat doganore, ndërsa ndërhyrja u realizua në magazinat e Çekajt. Ky i fundit mohoi të kishte lidhje me ngjarjen, ndërsa është ndaluar më pas në shtetin gjerman.


/Ora News.tv/