Katër orë panik në Vlorë, policia kërkon "objektivin" që i ra tritoli në rrugë

Ky ishte momenti kur forcat xheniere bënë shpërthimin e komanduar të bombës me celular që mbajti në panik Vlorën për disa orë mbrëmjen e së dielës (31 mars 2019).

Janë dashur rreth katër orë kohë dhe ndërhyrja e forcave xheniere nga Tirana për të bërë shpërthimin e komanduar të një sasie eksplozivi e cila është gjetur në lagjen "10 Korriku".

Pakoja bombë u gjet në mes të rrugës nga banorët e zonës rreth orës 19:00, ndërsa shpërthimi u krye në mesnatë.

Tritoli me detonator i lidhur me tel ishte i mbështjellë me letër natriban.

Pas alarmit policia krijoi një perimetër sigurie dhe bllokoi rrugën në lagjen "10 Korriku", e cila dublon Lungomaren dhe për pasojë ka qarkullim të lartë.

Policia ende nuk ka dalë me një përfundim por dyshimet janë se pakoja bombë mund të ketë qenë e vendosur në ndonjë mjet dhe ka rënë gjatë lëvizjes para se të aktivizohej.

Për të zbuluar objektivin që i shpëtoi fatmirësisht atentatit, ekspertët kanë sekuestruar pamjet e kamerave të sigurisë së shumë bizneseve.

Por për shkak se pika ku u gjet ekspozivi është e pambuluar me kamera, hetuesit mësohet se po punojnë me ndërthurjen e pameve të kamerave me orarin dhe makinat që kanë lëvizur aty.

Që nga zbulimi deri në caktivizimin e bombës me celular kaluan mbi katër orë deri në mbërritjen e ekspertëve të xhenios, duke rikthyer në Vlorë frikën e atentateve me tritol që vitet e fundit kanë tronditur qytetin bregdetar duke mbjellë panik e duke lënë pas edhe viktima.




EMISIONET