Eksperti i ekonomisë, Vjoldi Danaj është shprehur kundër anulimit apriori të koncesioneve, premtim ky i bërë nga opozita aktuale, pas ardhjes në qeveri.

Teksa ishte i ftuar në studion e lajmeve në RTV Ora Danaj tha se disa kontrata kanë disa klauzola që nëse do të prishen para kohe, atëherë shteti duhet të shpërblejë këto kompani dhe kjo mund t’i kushtojë më shumë buxhetit të shtetit.

Danaj: Nuk jam dakord dhe me një anulim apriori të këtyre kontratave pa u konsultuar mirë me pasojat që do kemi. E them këtë sepse këto kontrata kanë disa klauzola që nëse do të prishen para kohe, atëherë shteti duhet të shpërblejë këto kompani. Edhe prishja e kontratave nuk është aq e lehtë sepse mund ta rëndojë edhe më shumë buxhetin e shtetit. Nga ana ekonomike nuk do ishte inteligjente të anuloheshin kontratat pa bërë një studim, nëse anulimi i tyre do të kishte një kosto më të lartë se sa ç'mund të kishte vazhdimësia e tyre, apo ndoshta duhet gjetur mënyra që këto kontrata duhen shpallur të pavlefshme, por pa cënuar ekonominë. 

I pyetur nëse dëmi i shkaktuar buxhetit të shtetit nga këto koncesione mund të rikuperohet, Danaj u shpreh se rikuperimi duhet të nisë nga riorganizimi i të gjithë strukturës shtetërore.

Danaj: Rikuperimi duhet të fillojë nga riorganizimi i të gjithë strukturës shtetërore. Ne sot kemi korrupsion në nivele galopante. Kjo nuk është se ka ardhur vetëm sot. Shqipëria historikisht është njohur për korrupsionin e madh. Ndërhyrja kryesore për të rikuperuar këto humbje do të ishte një riorganizim i të gjithë strukturës shtetërore dhe një kontroll ndoshta më i rreptë. Kemi një administratë më të fryrë se duhet. Ne jemi sot vendi ku punëdhënësi më i madh është shtetit. Në këtë moment që ne flasim dhe borxhi publik që merret, një pjesë e tij shkojnë për të shlyer pagesat e administratës publike. Nuk jemi një vend produktiv që të kemi atë prodhimin e brendshëm bruto që të mbulojë kërkesat për pagesat. Ne jemi një vend ku administrata publike është e detyruar të rrisi numrin e punonjësve për të mbajtur në këmbë ekonominë. Duhet një reformën në këndvështrimin tim rrënjësore në pjesën e strukturimit dhe organizimit të kësaj administrate.

/Ora News.tv/