Kriza ekonomike që ka prekur Italinë pritet që të ketë efekte edhe në ekonominë shqiptare. Ekspertët deklarojnë se ndikimet e para pritet të jenë në nivelin e remitancave,të investimeve italiane dhe tregtinë e jashtme. Por një tjetër kanal parashikohet të jetë edhe luhatjet që mund të pësojnë tregjet financiare duke rritur në këtë mënyrë kostot për borxhin e Shqipërisë.

Ekonomia shqiptare pritet të ndjejë efektet e krizës që ka prekur ekonominë italiane. Eksperti Ardian Civici deklaron se është ende herët për reflektimin e pasojave por njëkohësisht argumenton se ndikimet do ndjehen në nivelin e remitancave që sjellin emigrantët shqiptarë. Po ashtu kriza Italiane parashikohet të ndikojë edhe në nivelin e investimeve.

Civici: Efektet mund të fillojnë të ndjehen ashtu si në rastin e krizave të tjera me Greqinë dhe Italinë, që kanë të bëjnë me uljen e remitancave, me një lloj dobësimi ose ulje të investimeve italiane në Shqipëri. Njëkohësisht edhe në raportin e import-eksporteve në një ekonomi që nuk performon mirë, natyrisht që import-eksportet vështirësohen. Pa folur pastaj për ndikimin që mund të kenë në komunitetin shqiptar çështja e papunësisë dhe çështja e dinamikës së ekonomisë italiane.

Për ekspertin Selami Xhepa një ndër efektet që mund të sjellë në Shqipëri kriza Italiane është rritja e kostos së borxhit.

Xhepa: Problemi kryesor i efektit që mund të ketë nga ekonomi si vende si Shqipëria, lidhet me mënyrën si do të reagojnë tregjet financiare në raport me borxhin italian. Italia ka një nivel të lartë borxhi, 170% të prodhimit të brendshëm. Shqipëria ka gjysmën e borxhit dhe për pasojë kostoja e shërbimit të borxhit mund të rritej. Në këtë kuptim ky mund të ishte kanali më kryesor i transmetimit të efekteve të pritshme.

Edhe ekspertët e Fondit Monetar Ndërkombëtar në raportin e fundit kanë konfirmuar ngadalësimit e rritjes ekonomike në vendin fqinj. Ky recension  sipas FMN do të ndjehet edhe në vendet e rajonit.

/Ora News.tv/