Zëvendës/Guvernatorja e Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, në një intervistë ekskluzive për emisionin "Ekopolitikë" të gazetares Aurora Sulçe, ka sqaruar se nëse do të vazhdonte rënia e mëtejshme e euros do të kthehej ne rrezik per inflacionin në vend. 

Madje ajo nënvizon se zhvlerësimi i mëtejshëm i monedhës evropiane mund të shkaktonte deflacion, çka solli dhe nderhyrjen e Bankës së Shqipërisë ne treg për të stabilizuar situatën. 

Megjithatë Ahmetaj shprehet se ishte e pritshme që monedha shqiptare të mbiçmohej por jo ne keto nivele. 

Sipas saj, deklarata e Guvernatorit ka sjellë një reagim të menjëhershëm në treg për shkak të efektit psikologjik dhe jo vetëm për veprimin e bankës.

Natasha Ahmetaj: Vumë re që niveli i kursit të këmbimit po shkonte në ato parametra që do të bëhej një pengesë serioze për arritjen e këtij objektivi. Madje mundej që në vitin e ardhshëm të vinte një periudhë që niveli i inflacionit mund të binte ndoshta dhe në territor negativ dhe mund të zgjaste ndoshta dhe për një tre mujor. Kjo do të thotë që ekonomia e gjithë të përkeqësohej. Kjo tendencë ishte parashikuar që mbështesnim mbiçmim të lekut por ky mbiçmim ishte në nivele të absorvueshme nga ekonomia reale dhe nuk krijonte shqetësim për inflacionin dhe ekonominë. Ishte larg këtyre niveleve.

Aurora Sulçe: Forcimi i euros që kemi parë dy ditët e fundit ka ndodhur për shkak të ndërhyrjeve tuaja apo dhe efektit psikologjik?

Natasha Ahmetaj: Gjithashtu dhe në këtë rast kemi efektin psikologjik që njerëzit e kanë kuptuar ndoshta dhe janë ndërgjegjësuar që nuk ka arsye pse të ketë një mbiçmim aq të shpejtë të lekut.

Intervista: 

-Banka e Shqipërisë ka vendosur të ndërhyjë në tregun e këmbimit, duke blerë valutë për të frenuar zhvlerësimin e euros. A ishte e vonuar kjo lëvizje? 

Ahmetaj: Banka Qendrore përpiqet të krijojë një element më lehtësues ose më vështirësues në varësi të distancës që ka me inflacionin e synuar. Në momentin aktual, kjo normë bazë interesi ishte në nivelet më të ulëta historike. Edhe teorikisht dihet që norma bazë e interesit ka një cak, poshtë të cilit nuk është më efektive të përdoret. 1.25% është mbi këtë cak, por është shumë afër kufirit të ulët. Ndryshimet e kohëve të fundit në kursin e këmbimit u bënë një pengesë për Bankën e Shqipërisë për të ruajtur këtë objektiv. Për shkak se këto ndryshime në kursin e këmbimit u bënë pengesë shtesë, vumë re që niveli i kursit të këmbimit po shkonte në ato parametra sa do të bëheshin pengesë serioze për arritjen e këtij objektivi. Madje, mund të arrinim që vitin e ardhshëm, niveli i inflacionit mund të binte në nivelin negativ dhe mund të zgjaste edhe me një tremujor dhe kjo do të thotë se e gjithë ekonomia mund të përkeqësohej. Për këtë arsye, ne duhet të ndërhynim kur kursi i këmbimit bëhet pengesë për këtë objektiv. Në këndvështrimin tonë, ky ishte momenti i duhur.

-A kishte parashikuar Banka e Shqipërisë në një nivel të tillë të euros?

Ahmetaj: Natyrisht që nuk e kishim parashikuar dhe as nuk mund ta parashikonim sepse këto luhatje të kursit të këmbimit nuk mbështeten në zhvillimet e ekonomisë reale. Kursi i këmbimit është një çmim i tregut financiar dhe influencohet edhe nga perceptime psikologjike.

-Çfarë ndikoi që euro u zhvleftësua deri në këto nivele?

Ahmetaj: Unë do ta formuloj përgjigjen time në bazë të të dhënave që disponojmë dhe të dhënat që disponojmë i referohen kanaleve të sistemit financiar që mbikëqyrim. Sipas analizave që kemi bërë pse po luhatet kursi i këmbimit, unë do ta shpjegoja me këto pritshmëri të përshpejtuara të këtij mbiçmimi të lekut. Do të thotë që aktorët e fuqishëm financiar përfshirë bankat dhe pikat e mëdha të këmbimit janë agjentë të mirëinformuar që dinë të lexojnë zhvillimet në ekonominë reale dhe kanë informacion për zhvillimet që do të ndodhin në tregun e parasë. Informacionet kanë qenë të tilla që mbështesnin në afat të shkurtër një mbiçmim përtej tregut afatgjatë të këmbimit. Këtu mund të përfshijë disa faktorët; informacioni se të paktën dy banka në sistem do të realizonin transferimin e kapitalit nga euro në lekë dhe kjo përbënte një shtim në tregun e këmbimit valutor të ofertës për euro. Kishte informacione se një operator i fuqishëm i sektorit publik do të merrte një kredi të madhe në euro, rasti i KESH-t me BERZh. Agjentët financiarë e dispononin që do të përkthehej në një fluks të euros në treg. Këto informacione që flisnin për një arsye shtesë për mbiçmimin e lekut në raport me euron, me sa duket u vetpërmbushën në kohë nga agjentë financiarë. E orientuan tregun drejt këtyre niveleve më herët se kjo ofertë të prezantohej në treg duke e futur perceptimin publik në inertësi negative.

-A keni konstatuar një shtim të euros në qarkullim që mund të vijë nga burime informale?

Ahmetaj: Nuk mund të flasim pa shifra. Mund të ketë shumë burime, që mund t'u drejtohesh. Mund të përmend dy përpjekje që ne kemi bërë për analiza sasiore; bilanci i pagesave, i cili tek llogaritë kapitale ka një zë 'gabime dhe harresa'. Zakonisht regjistrohen diferencat e pajustifikueshme për valutë të shtuar apo të munguar në treg. Duke analizuar serinë e këtij zëri, ekonomistët tanë kanë arritur në konkluzionin "një seri e rendit zero", që do të thotë nuk kemi asnjë të dhënë që në kanalet e sistemit financiar ka hyrë më shumë apo më pak valutë nga kanalet ilegale. Çdo valutë në pikat e këmbimit dhe sistemit bankar pozicionohet diku në bilancin e pagesave.

Ndërsa një rend tjetër janë depozitat në euro që kanë ndjekur trendin e tyre historik. Nuk vëmë re një rritje të nivelit që mund të krijonte shqetësim në tregun e këmbimit valutor. Në kanalet zyrtare të sistemit financiare ne nuk gjejmë arsye për të thënë; po, kemi. Sikundërse nuk mund të themi jo nuk kemi, sepse ka kanale të sistemit financiar që janë informale dhe janë jashtë mundësisë sonë për t'i kontrolluar.

-A është pjesërisht efekti psikologjik edhe për shkak të nismës së de-euroizimit? 

Ahmetaj: Nëse dikush mund ta ketë perceptuar gabim strategjinë e de-euroizimit është publiku i thjeshtë dhe nuk janë agjentët financiar, bankat, të cilëve u është adresuar kjo strategji. Pse lindi ky rekomandim? Ka një studim shumë të mirë mbi vendet e rajonit që ka bërë banka e Austrisë dhe në këtë studim, vlerësohet që një ekonomi si Shqipëria duhet të ketë patjetër një nivel të caktuar të pranisë së euros në ofertën monetare, pra duhet të ketë patjetër një nivel euroizimi, për shkak të profilit ekonomik që Shqipëria ka, përfshi nivelin e tregtisë së jashtme, nivelin e hapjes së llogarisë kapitale që ishte më shumë se sa duhet. Ekonomia reale i përcakton Shqipërisë të ketë patjetër një nivel të caktuar euroizimi.

-Sa?
Ahmetaj: Një studim i FMN e përcakton në nivelin 42%. Ne e kishim 53%. Janë studime fillestare në këtë fushë. Prezenca e euros duhet të ulet me disa përqindje.

-A ndikoi kjo në efekt psikologjik që njerëzit të përpiqeshin ta largonin euron që kishin?

Ahmetaj: Nuk kam një përgjigje të saktë për këtë pasi nuk kemi patur një mënyrë për ta matur sa ka ndikuar, por nëse i referohemi citimeve të bëra nga media, duhet të ketë pasur një perceptim të gabuar i cili them që është i gabuar se nëse ka ndonjë masë konkrete në kuadrin e kësaj strategjie që Banka e Shqipërisë ka përcaktuar në paketë, nuk i referohet kanaleve të ekonomisë reale por ndërmjetësve financiarë. Do të thotë janë bankat që mund të kishin ndonjë shqetësim për aplikimin e masave të përcaktuara në strategji dhe për bankat nuk kishte fare problem. Ne nuk kemi pasur asnjë kundërshtim nga bankat sepse masat që ndërmorëm ishin aq mirë të kalibruara sa nuk krijonin asnjë lloj shqetësimi apo vështirësie absorbimi për bankat në afatgjatë. Këto masa synojnë realizimin e disa ndryshimeve strukturore në sistemin financiar. Ndryshimet strukturore nuk mund të ndodhin më herët sesa 10 vjet.

-Si shpjegohet ky impakt tek publiku?

Ahmetaj: Ndoshta komunikimi ynë me publikun duhet të ishte më i shpeshtë, më i qartë dhe me një gjuhë më të thjeshtë që të mos keqkuptonte emrin de-euroizim me eliminimin e euros nga qarkullimi financiar, sikurse mund të jetë keqkuptuar gabimisht.

-Prej dy ditësh Banka e Shqipërisë ka ndërhyrë në treg për të blerë valutë. Ka qenë e konsiderueshme sasia që keni tërhequr pasi kemi parë që ka pasur një vlerësim të ndjeshëm, gati me 1 lek në 24 orë. 

Ahmetaj: Banka e Shqipërisë bëri me dije se do të jetë në treg për aq kohë sa do të zhduken këto luhatjet e jashtëzakonshme të kursit të këmbimit, që në fund të fundit përbëjnë një çrregullim për tregun e këmbimeve valutore. Ne do të jemi në treg për sa kohë që këto çrregullime, luhatje të mos jenë më pengesë për arritjen e objektivit tonë të normës së inflacionit. Në momëntin që do gjykojmë që kursi është stabilizuar në nivele që nuk përbëjnë shqetësim për objektivin tonë por mbetet një parametër si gjithmonë që përcaktohet nga kërkesa dhe oferta e tregut të këmbimeve valutore. Në atë moment, ndërhyrja jonë nuk do të jetë e nevojshme në treg dhe nuk do të jetë as e justifikuar për Bankën Qendrore.

-Sa është ky nivel që duhet arritur?

Ahmetaj: Nuk është se ne kemi një nivel sepse ju e dini që inflacioni nuk ndikohet vetëm nga ecuria e kursit të këmbimit, kështu që modeli shikon të gjithë parametrat njëkohësisht. Nëse sot përcakton një nivel si minimal që nuk duhet shkelur, nesër mund të dalë një tregues tjetër që është model dinamik dhe ne thjesht ndjekim këtë dinamikë dhe jemi aty për të siguruar që qëllimi jonë nuk duhet të cënohet për shkak të kurseve të këmbimit.

-Forcimi i euros që kemi parë dy vitet e fundit ka ndodhur për shkak ndërhyrjeve tuaja apo efektit psikologjik?

Ahmetaj: Unë mendoj që gjithashtu edhe në këtë rast kemi efektin psikologjik që njerëzit kanë kuptuar ndoshta dhe janë ndërgjegjësuar që nuk ka arsye përse të ketë një mbiçmim aq të shpejtë të lekut dhe duke perceptuar këtë i modelojnë nevojat e tyre për transaksione sipas nevojës reale, jo sipas nevojës spekulative apo nën panik.

-Paralelisht me vendimin për të hyrë në tregun e këmbimit, Banka e Shqipërisë mori edhe vendimin tjetër, atë të uljes së normës bazë të interesit nga një pikë në 25% në 1%. Ju thatë që jemi kufirin minimal, ka ende vend. Me këtë lëvizje është arritur kufiri minimal dhe cilat janë pritshmëritë tuaja për reagimin që ketë në treg, kryesisht nga bankat tregtare?

Ahmetaj: Në fakt nga vlerësimet tona nuk është arritur akoma niveli minimal, megjithëse nuk ka një metodologji të saktë që të të thotë sa është ky nivel. Ka disa vlerësime të përafërta por jemi shumë afër nivelit minimal dhe efektiviteti i kësaj mase u gjykua se nuk ishte i mjaftueshëm për të arritur objektivën, prandaj e ndihmuam me instrumenta të tjerë.

-Pritet të ketë reagime banka tregtare, kryesisht në pjesën e kahut të kredive dhe depozitave në pjesën e normave të interesit?

Ahmetaj: Efekt në kreditë në lekë do të ketë sepse ky është edhe kanali në të cilin politika monetare e komunikon vendimin e vet në treg. Kurse në anën e depozitave, unë nuk gjykoj që do ketë lëvizje të ndjeshme për shkak se normat e interesit janë shumë të ulëta. Shpresoj që në kredi të kemi përmirësim të normës së interesit.


/Ora News.tv/