Tek Teuta optimizmi është i madh në prag të ndeshjes me Ventspils të vlefshëm për turin e parë kualifikues të UEFA Europa League. Bregdetarët besojnë se do ta kalojnë turin e parë edhe pse përballë është një kundërshtarë shumë i fortë. Gjatë intervistë për gazetarin, Drilon Xhepollari në "Rtv Ora", mbrojtësi Renato Arapi i cili do të mbajë edhe shiritin e kapitenit tek durrsakët foli për aspiratat e "djemve të detit".

"Atmosfera është shumë pozitive. Ato 2-3 javë që ishim në Bullgari na kanë ndihmuar shumë për të rregulluar gjendjen fizike, po ashtu edhe për të konsoliduar ekipin dhe afrimet e reja që të përshtaten më shumë me ekipin. Besoj se çdo gjë është gati dhe atmosfera është shumë pozitive. Ishte kundërshtari më i mirë i mundshëm që mund të na bindte. Gjithë këto kohë e kemi studiuar kundërshtarin. Sigurisht që kanë 3-4 pika shumë të forta por besoj se janë ekip i kalueshëm dhe për këtë do të mundohemi që të japim maksimumin. Ndeshja e parë për ne është pozitive, pasi një rezultat i mirë atje do të thotë se kemi më shumë shanse këtu, kështu që të shpresojmë. Nuk duhet kurrësesi ta nënvlerësojmë apo ta mbivlerësojmë. Do të bëjmë lojën tonë. Të shkojmë atje dhe të marrim një rezultat pozitiv siç është barazimi dhe ta tentojmë këtu kualifikimin." -komentoi situatën në ekip mbrojtësi.

Teuta ka bërë një merkato cilësore, duke afruar disa futbollistë të rëndësishëm, por Arapi e vlerëson me notën 8-të.

"Në tërësi jemi shumë të kënaqur pasi janë afruar lojtarë cilësorë, aq më tepër që edhe janë përshtatur me ekipin, pasi janë lojtarë që kanë eksperiencë. Besoj se do të na ndihmojnë shumë në të ardhmen. Kur ke dy sulmues që kanë cilësi dhe janë në formë kjo të bën optimist. Aq më tepër Bushiç, i cili është adoptuar shumë më mirë. Po ashtu edhe gjendja fizike e tij është përmirësuar ndjeshëm. Me golat që ka shënuar edhe besimi është rritur shumë. Edhe sulmuesi tjetër që ka ardhur është cilësorë. Normalisht që rritja e konkurencës i bën mirë ekipit. Unë notën do ia jepja 8-të sepse edhe ndonjë përmirësim i mundshëm pas Kupave të Europës për tu përforcuar më shumë nuk do të ishte keq. "-përfundoi Arapi.

Ndeshja e parë mes Ventspils dhe Teutës luhet në Letoni të enjtën në orën 16:45.

/Ora News.tv/