Shqipëria do të përballet sot me një test të rëndësishëm, pasi pritet të dalë në tregjet ndërkombëtare për Eurobondin

Në një njoftim për mediat, Ministria e Financave sqaroi dje se "Pas një jave intensive takimesh me investitorët në disa prej qendrave kryesore financiare europiane, nesër pritet finalizimi i një procesi të rëndësishëm për ekonominë dhe financat shqiptare, dhe kredibilitetin e vendit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit".

Shqipëria synon të marrë hua deri në 500 milionë euro, përmes emetimit të Eurobondit, me afat maturimi 5-7 vjet.

Një afat 7 vjeçar maturimi, për herë të parë për Shqipërinë, do të ishte një arritje e rëndësishme që reflekton drejtpërsëdrejti rritje të besimit të investitorëve të huaj në ekonominë dhe financat e vendit.

Po kështu, në diferencë nga viti 2015, Eurobondi i ri pritet të rezultojë me interesa më të ulëta.

"Huaja e marrë përmes Eurobondit do të përdoret për të plotësuar nevojat e buxhetit për financim, por edhe për të shlyer para kohe 200 milionë euro borxhe të marra përmes Eurobondit të emetuar në 2015, që në kushtet e marrjes me interesa më të ulëta, do të rezultojë në uljen e kostove të borxhit në buxhetin e shtetit dhe qytetarëve", mbyll njoftimin Ministria e Financave.

/Ora News.tv/