Ekonomia shqiptare ka pësuar një rënie të fortë. Në tre muajt e parë të këtij viti rritja ekonomike ka qenë vetëm 2.21%, duke rezultuar më e ulta që prej 2015. Sipas të dhënave të INSTAT, kontributin kryesor negativ e ka dhënë prodhimi i energjisë elektrike, aktivitetet e shërbimit si dhe bujqësia. Por për Ministren e Financave, Anila Denaj, kjo situatë është sezonale.

Përgjysmohet rritja e ekonomisë shqiptare në tre muajt e parë të këtij viti.

INSTAT ka njoftuar se Prodhimi i Brendshëm Bruto është rritur me 2.21%, duke shënuar nivelin më të ulët që prej 2015 dhe më pak se gjysma e rritjes ekonomike të një viti më parë.

Kjo periudhë korrespondon me nisjen e krizës politike, e cila duket se ka dhënë efektet e para negative.

Prodhimi i ulët i energjisë elektrike, aktivitetet e shërbimit si dhe bujqësia jane sektorët që kanë ndikuar më shumë.

Megjithatë Ministrja e Financave, Anila Denaj, e shpjegoi këtë situatë me ndikimin e efekteve sezonale, duke mos përmendur situatën politike.

Denaj: Disa sektorë si bujqësia dhe energjia reflektuan më shumë efekte sezonale të thatësirës së fillimvitit, duke zbutur kontributin e 3 mujorit të parë në rritjen vjetore. Në 3 mujorin e parë të 2019-ës sektori i energjisë elektrike u tkurr me -63% krahasuar me 3 mujorin e parë të 2018.

Edhe institucionet ndërkombëtare financiare si FMN dhe BB kanë paralajmëruar se rritja ekonomike në vend parashikohet që gjatë 2019 dhe 2020 të jetë nën 4 %.

Një lajm tjetër negativ për ekonominë shqiptare është edhe fakti se në muajt e parë të këtij viti qarkullimi i parasë cash ka pësuar rritje, duke arritur në 274 mld lekë.

RRITJA EKONOMIKE

T1 2015      1.67%

T1 2016     3.73%

T1 2017        4.15%

T1 2018        4.31%

T1  2019       2.21%

/Ora News.tv/