Ekonomia shqiptare ka ndjerë efektet e para nga luhatjet e kursit të këmbimit. Ministri i Financave, Arben Ahmetaj, në një konferencë për shtyp ka pranuar që vetëm në disa muaj, efekti tek të ardhurat është 3.6 mld lekë.

Ahmetaj: Kursi i këmbimit, në disa muaj së bashku me qershorin shkon në 3.6 miliard lekë, pra goditje.

Shqetësimi i qytetarëve në lidhje me biletat e larta të fluturimeve duket se ka detyruar Ministrinë e Financave dhe të Infrastrukturësqë të nisin një vlerësim të imtësishëm të kontratës së këtij koncesionari.

Ahmetaj: Tarifat aeroportuale që pastaj ka efektin kaskadë deri tek bileta dhe investimet. Në rezultat të auditimit të kujdesshëm ne do të dalim në konkluzion.

Ndërkohë në lidhje me aplikimin e metodologjisë së re për taksën e pronës, Ahmetaj sqaroi se deri në 1 janar do të mund të përdoret metodologjia e vjetër ndërsa pas këtij afati nuk do ketë tolerime.

Ahmetaj: Në 1 janar 2019 ka vetëm një metodologji, ajo që ne kemi kaluar së fundmi.

Shqipëria pritet të dalë gjatë muajit shtator në tregjet ndërkombëtare për blerjen e një eurobondi prej 500 mln eurosh por sipas Ministrit nuk do të ndikojë në borxh.

Në tre mujorin e parë të këtij viti, ekonomia shqiptare u rrit me 4.45% ndërsa pritshmëritë mbeten pozitive edhe për muajt në vijim.



/Ora News.tv/