Për herë të parë ekipi negociues i Kosovës me Serbinë, takon të martën në Bruksel Federica Mogherinin, që është ndërmjetësuese në dialogun me Serbinë.

Grupi negociator i Kosovës që kryesohet nga Fatmir Limaj dhe Shpend Ahmeti, udhëton në Bruksel për herë të parë që nga mandatimi i tij në Kuvendin e Kosovës në nëntor të vitit të shkuar, megjithë kundërshtimin e partive opozitare.

Çështja e të pagjeturve është tema e vetme e konfirmuar që do të diskutohet në Bruksel, ndërsa, thuhet se ky takim i pari i këtij lloji më shumë cilësohet si një takim konsultues, sesa negociues. "Shërbimi i Jashtëm Diplomatik (EEAS) e ka ftuar Ekipin e Dialogut nga Kosova për konsultime, më 8 janar, pas themelimit të tij nga Kuvendi”, citohet të ketë thënë Maja Kocijancic, zëdhënëse e Federica Mogherinit.

/Ora News.tv/