Editoriali i ARENA: Rama-Basha, çfarë ndodhi në Bruksel?

Editoriali i ARENA: Rama-Basha, çfarë ndodhi në Bruksel?

Ende pa u tërhequr ujërat nga tokat e përmbytura dhe hyrë në shtëpi të dëmtuarit e harbimit të natyrës, Edi Rama u nis drejt Brukselit për një axhendë takimesh që përfshinin krerët më të lartë të Bashkimit Evropian.

Mogerini dhe  Junker ishin dy më kryesorët që takoi. Kortezia mbizotëroi bisedat e tyre publike. Megjithatë asnjë premtim konkret nga ana e pritësve dhe as një datë fikse për hapjen e bisedimeve për anëtarësimin. Edhe pse kanë kaluar katër vjet që nga marrja e statusit të vendit kandidat.

Nga ana e tij shefi i qeverisë ishte po aq i dashur dhe me humor, sa me zyrtarët e Brukselit edhe me gazetarët. Nuk munguan batutat e tij ku më e spikatura ishte kërcënimi i butë se nëse Evropa nuk martohet me Shqipërinë, ajo kërkohet edhe nga Islami radikal, Kina apo Rusia. Me siguri askush nuk e merr seriozisht në këtë pikë.

Shqiptarët tashmë e dinë që rruga e tyre drejt anëtarësimit është e gjatë. Atyre iu mjafton udhëtimi pa viza, ndërkohë që labirintet e Brukselit dhe përfitimet që do kenë në anëtarësimin e mundshëm, pak kuptohen prej tyre. Kush nuk mundet të rrijë më në Shqipëri, e ka gjetur me kohë Evropën ose e kërkon çdo ditë. Ata që kanë mbetur, e pranojnë si fatalizëm vonesën tonë në qenien evropianë jo vetëm gjeografikisht por edhe zyrtarisht.

Ndërkohë shefi i partisë më të madhe opozitare Lulëzim Basha ndodhet gjithashtu në Bruksel. Një takim i tij me shefin e Partive Popullore Evropiane, zotin Daul, ishte gjithë sa u njoftua. Daul njihet si mik i hershëm jo vetëm ideologjik i demokratëve.

Ka në vizitën e zotit Basha disa arsye. Kryesorja është një farë dobësie e tij në marrëdhëniet diplomatike me partnerët. Kritikët i atribuuan humbjen e kauzës së çadrës në maj edhe mangësisë së njoftimit të partnerëve të tyre ideologjikë. Ndaj duhet pak nxehmje.

Arsyeja e dytë është prezantimi në Bruksel i shqetësimeve që opozita ka aktualisht ndaj problematikës që ka vendi. Hashashi është natyrisht kryesori.

E megjithatë e gjithë kjo ka një tis komploti brenda. Marrëveshja e muajit Maj ka lenë shumë pika të pa sqaruara në të. Pavarësisht gjuhës opozitare, ajo mbetet vetëm në fushën e deklaratave dhe nuk duket se e shqetëson shumë Edi Ramën.

Dalja e implikuar në trafik ndërkombëtar lëndësh narkotike e ministrit të brendshëm dhe e disa drejtuesve të policisë do të shkundte nga themelet çdo vend serioz. Por asgjë e tillë nuk ka ndodhur në Shqipëri.

Krahas kësaj, ende nuk ka një aksion të mirëfilltë opozitar për ndryshimin rrënjësor të sistemit zgjedhor, aq shumë të përfolur para zgjedhjeve. Ka një ngjashmëri mes opozitës së butë të Bashës të viteve 2013-2016 dhe muajve të fundit. Mesa duket aktorët e mbetur në lojë janë të kënaqur me këtë statuskuo.

As Edi Rama nuk ka ndryshuar retorikë ndaj Bashës. Në të shumtën e rasteve ai mbetet çuni i mirë.

A është kjo një strategji për të defaktorizuar Bashën apo sinjal mirëkuptimi, këtë e dinë ata të dy. Madje edhe pas përplasjeve në dukje të egra në kuvend, jo rrallë për lapsuse apo ngatërresa shpërthejnë të qeshurat, a thua se bëhet fjalë për role.

Në opinion është shija se marrëveshja e Majit jo vetëm nuk ka përfunduar por prania në Bruksel, në të njëjtën kohë e dy figurave kryesore politike ngjan diçka më shumë se rastësi. A ka një rinovim të saj? Këtë shumë pak mund ta thonë. Të parën e dinë vetëm tre persona. Këtë, ndoshta më pak.

A ka një marrëveshje që në vitin 2021 Rama tashmë i lodhur nga 25 vjet pushtet dhe 8 kryeministër, do ti lëshojë stafetën Lulizim Bashës?

Kush e di si funksionon politika di gjithashtu se koha është një ekuacion me shumë variable dhe të panjohura. Kriza ekonomike; prania e faktorëve të rinj politikë, ndryshimi i mentalitetit të shqiptarëve nuk bëjnë asgjë të sigurt.

Ajo që kemi të sigurt deri më sot, është që Rama do jetë kryeministër deri në qershor 2021, Basha kryetar i opozitës, ndërsa Ilir Meta president edhe një vit më shumë.

Dhe siç ngjan në përrallat bukolike me fund të lumtur, të gjithë janë të lumtur e të kënaqur. Mesa duket edhe shqiptarët.

EMISIONET