Editorial nga ARENA: Prokurorja e re dhe surpriza e Vitit të Ri

Editorial nga ARENA: Prokurorja e re dhe surpriza e Vitit të Ri

Nëse kishte një risi parlamenti shqiptar të hënën që shkoi, ishte përpjekja e Sali Berishës për të marrë fjalën dhe pengesa që i bëri garda. Shqipëria ka parë sulmet mbi repartet ushtarake në vitin 97, sulmin mbi institucione; armët në parlament kur Gafur Mazreku qëllonte mbi Azem Hajdarin, Ilir Meta që mësynte Jozefina Topallin e deri bilbilat e socialistëve. Por asnjëherë Sali Berisha nuk është përballur fizikisht me kundërshtarët dhe është kujdesur të ruajë distancën fizike.

Më shumë se mungesë ndjekësish të shefit shpirtëror të demokratëve, kjo tregoi se çështja e drejtësisë për opozitën është jetike dhe mbart në thelbin e saj shumë probleme. Së pari është frika se një prokuror i komanduar nga pozita do të rihapë edhe njëherë çështje të cilat në të shkuarën kanë qenë arma kryesore e opozitës së Edi Ramës. Por më shumë sesa pasoja ligjore, ajo do ketë efekt psikologjik mbi rradhët e saj. Individë të saj të mbajtur nën presionin e drejtësisë shkaktojnë demoralizim të frontit opozitar.

E ndërkohë nuk duhet harruar se ky prokuror mund të bëjë nul disa dosje të hapura në ngarkim të socialistëve. Kjo do të squllë armët e sulmit të selisë blu.

Ndërkohë ajo që bëri më shumë përshtypje të hënën ishte rishfaqja e Monika Kryemadhit. Kush ka kujtësë politike e mban mend se edhe në kohët kur ishte pjesëtare e socialistëve, Kryemadhi ka qenë organizatore masash dhe njeri i aksionit. Por ngritja e bashkëshortit të saj në hierarkinë e të majtës, e detyroi që të tërhiqej në skalionin e dytë. Ishte një periudhë inkubacioni e më shumë se një dekade. Ndërsa sot, ajo ka të gjithë hapësirën të shfaqë dhuntitë e saj, ku politika e mënyrave të forta është një nga atributet. Shqiptarët kishin kohë pa parë një sulm aq spektakolar të një deputeti mbi qeverinë. Monika nuk di të organizojë vetëm spektakle mitingjesh por edhe protestash. 

Por Lsi-ja ka një problem shtesë krahasuar me demokratët. Ata kanë qenë në pushtet tetë vjetët e fundit. Pra nëse demokratët janë pak a shumë të qetë me drejtësinë përjashto disa raste të krerëve të tyre që gjithsesi nga ana formale janë procese të mbyllur, për rradhët e lësëistëve sapo ka filluar. Fakti që Damian Gjiknuri, njeriu i afërt i Edi Ramës, çon në prokurori dosjet e tre ish drejtuesve të ardhur nga rradhët e aleatëve të derivonshëm, është vetëtima e parë e rebeshit që do të bjerë mbi kokën e të kuqve të Kryemadhit. 

Socialistët me këtë sulm kanë synim jo vetëm të japin spektaklin e rradhës për publikun dhe për të treguar që tani fillon larja e hesapeve me abuzuesit e pushtetit, por edhe të trembin rradhët e ndjekësve të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Pasi kjo është edhe thembra e Akilit e kësaj partie: Sa do të jetë në gjendje të ruajë anëtarësinë dhe peshën e saj elektorale pas tetë vjetëve në qeverisje. Ky është një problem që shqetëson partitë e mëdha, por mbi të gjitha partinë e Kryemadhit e cila përveç tranzicionit duhet të përjetojë edhe kalimin nga drejtimi i Ilir Metës në një komandë të re.

Ndërkohë zëri i emocionuar i Edi Ramës në fjalën e tij gjatë ditës së hënë, ishte tregues se shumica nuk është e qetë. Është larg mendsh se ajo është indiferente nga zhvillimet në drejtësi dhe kush do të jetë prokuroria dhe gjykata e re. Socialistët nuk janë axhami në politikë që ta marrin me mendjelehtësi dhe lenë jashtë vemendjes një armë të tillë siç është drejtësia. Por e gjitha do të kalojë nën presingun e opozitës e cila e di që sot po luftohet për 25 vjetët e ardhshme.

Dhe krahu i tretë po aq i pranishëm në këtë përplasje janë ndërkombëtarët. Si asnjëherë më parë gjuha e tyre ka qenë e zhveshur nga veli diplomatik. Ambasadori i SHBA ka qenë i drejtpërdrejtë dhe shpesh ka qenë ai që ka marrë timonin e reformës. Zërat që qarkullojnë thonë se synimi i tij final është futja në dorë e Byrosë së Hetimit dhe SPAK-ut. Këto janë dy armët që do synojnë të bëjnë Piza Pulita në politikën shqiptare, spastrim i cili tremb të gjithë krahët e politikës dhe ku shumë kanë frikë se mund të ikë edhe i njomi bashkë me të thatin.

Dhe ata që janë spektatorë, shqiptarët,  presin aktin final të një shfaqjeje që ka tre vjet e filluar. A do të plotësojë reforma shpresat e tyre për një drejtësi të paanshme dhe trupë prokurorësh dhe gjykatësish asnjanës? A do të justifikohet shpresa e tyre që drejtësia të jetë edhe peshore dhe jo vetëm shpatë që bie mbi kokat e tyre? Mesa duket nuk do presin edhe shumë.


EMISIONET