Editorial nga Arena: Histori e shkurtër e Rusisë dhe Putin

Editorial nga Arena: Histori e shkurtër e Rusisë dhe Putin

Nëse do të gjendej një përkufizim dashamires që shqiptarët mund ti gjenin Rusisë, do të ishte “mike e sllavëve të jugut”. Një cilësim realist eshte “coptuese e tokave shqiptare”. Kjo të paktën deri në shpalljen e pavarësisë.

Gjithë luftërat mes perandorisë otomane dhe  perandorisë ruse para vitit 1912 në mbyllje do të kishin traktatin e paqes i cili përfshinte edhe një shtrirje të sllavëve të jugut mbi trojet e të mundurve. Të cilët fati e kishte sjellë që të ishin shqiptarët. Traktati i Shën Stefanit, Konferenca e Berlinit të shekullit të 19-të shënjuan rëndë tokat shqiptare në favor të miqve të Rusisë.

Pas pavarësisë shqiptare, do të vinte lufta e parë botërore dhe revolucioni i tetorit që solli karantinën e Rusisë nga fuqitë e tjera të mëdha. Si rrjedhim ra pesha e saj në konfigurimin e kufijve Evropiane. Por kjo nuk e bëri inaktive. Pavarësisht se e izoluar nga pikëpamja diplomatike tashmë Rusia kishte një ambasador më të fortë. Dhe ky ishte komunizmi.

Ideologjia e shpallur nga Marksi dhe që kishte gjetur folenë në Moskë, ishte një nga armët më të forta të Moskës për të penetruar në vendet e tjera. Partitë komuniste të perëndimit konsideroheshin nga qeveritë perëndimore si agjensi spiunazhi të Moskës. Dhe jo rrallë spiunazhi rus rekrutonte agjentët e tij nga rradhët e ish  komunistëve. Riçard Zorge, një komunist gjerman është më i famshmi.

Por jo gjithmonë ishte i nevojshëm rekrutimi direkt. Komunistët e shikonin Moskën si atdheun e tyre të dytë.

Në këtë kohë, ndërhyrja e Moskës në punët shqiptare nuk ishte shumë e njeshme. Përveç gojëdhënave për një përkrahje të Fan Nolit dhe revolucionit të tij nga zyra e spiunazhit sovjetik në Vjenë, e cila është më shumë legjendë, nuk ka dokumente apo dëshmi të besueshme të ndërhyrjes ruse.

Kordoni sanitar, i përbërë nga shtete limitrofe me Rusinë, që fillonte nga Polonia dhe mbaronte ne Turqi, e ruajti Shqipërinë nga ndërhyrja direkte. Ndihmoi në këtë edhe një lloj alergjie që kishte popullsia e veriut e cila e shikonte Rusinë si mike të serbëve.

Ata pak komunistë që kishte vendi, më shumë ishin idealistë romantikë sesa të rrezikshëm dhe me lidhje me Moskën.

Nga fundi i mbretërimit te tij, me një gjyq spektakolar, qeveria e Ahmet Zogut dënoi një pjesë të madhe të komunistëve shqiptarë ku spikaste Qemal Stafa. Ky gjest tulati të tjerët.

Duhet të vinte sulmi gjerman mbi Bashkimin Sovjetik që rusët të bëheshin aktivë. Komunistët ishin një material i mirë për veprimtari subversive në prapavijat gjermane. Por ne Shqipëri rusët nuk ndërhynë direkt por ja lanë përgjegjësinë e organizimit të komunistëve shqiptarë, jugosllavëve. Për ata jugosllavët ishin më të kualifikuar dhe të kontrolluar. Një pjesë e udhëheqjes jugosllave, perfshire Titon kishin ndejtur në Hotel Lux ne Moske, i famshëm si vendstrehim për të gjithë komunistët e arratisur nga vendet e tyre dhe që më vonë do të ridërgoheshin në vendet e origjinës pas pregatitjes ku nuk mungonin as kurset e luftës së fshehtë.

Do ishin dy komunistë jugosllavë që shërbyen si ngjizës të komunistëve të pakët dhe përçarë shqiptarë: Dushan Mugosha dhe Vukmanoviç Tempo. Këta ishin të parët dhe pas tyre do të vinin të tjerë.

Pavarësisht se në vitin 1944 Ushtria e Kuqe nis një major të vetin në mision ndërlidhës pranë shtabit të përgjithshëm shqiptar, kanali i komunikimit të komunistëve shqiptarë me Moskën do të mbetej gjithmonë Beogradi.

Në vitin 1948 në Konferencën e Paqes së Parisit, në kundërshtim me afrinë historike që ortodoksët e Rusisë kishin pasur me Greqinë e cila i kishte penalizuar shqiptarët në të shkuarën, Bashkimi Sovjetik si një ndër katër fuqitë fituese, garanton mosndarjen e Shqipërisë. Ishte koha kur ideologjia prevalonte mbi kombin dhe fenë. Por edhe në këtë rast ishte ndërmjetësimi i Jugosllavisë e cila luante rolin e tutorit. Deri në vitin 1948 kur Tito shkëputet nga Moska dhe Enver Hoxha shfrytëzon rastin të vendosë kontakte direkte me Kremlinin.

Ky ishte viti kur edhe mijëra shqiptarë filluan të shkonin të shkolloheshin në Rusi dhe mijëra këshilltarë rusë erdhën në Shqipëri.

Ishte periudha kur dy vendet patën marrëdhëniet më të ngushta në historinë e tyre e cila përveç marrëdhënieve politike, ushtarake dhe diplomatike njohu edhe nje fuqizim te ndihmës ekonomike dhe ushtarake.

Pas vitit 1961 marrëdhëniet mbeten të ngrira për tu shkëputur krejtësisht në vitin 1968 kur Shqipëria doli nga Traktati i Varshavës. Shkëputje e cila e beri Enver Hoxhen të rrisë vigjilencën e tij ndaj njerëzve që ishin shkolluar në Moskë apo me lidhje familjare. Eksperienca e vendeve të lindjes i kishte treguar se ky ishte kontingjenti nga mund ti vinte përmbysja.

Rënia e komunizmit në të dy vendet nuk solli ndonjë ndryshim të madh. Shtytësi ideologjik nuk vepronte më. Kishin mbetur vetëm interesat shtetërore.

Rusia nuk ishte më ajo e para. Dhjetëvjeçari 1990-2000 ishte periudha e lëpirjes së plagëve. Varfëria nga kishte dalë, shto edhe konfliktet ndëretnike nuk e lejonte të projektonte fuqinë e saj jashtë kufijve.

Derisa erdhi viti 2000 kur Jelcin do ja linte fuqinë një ish oficeri të shërbimeve sekrete të quajtur Vladimir Putin. Putin ishte një rekomandim i oligarkëve hebrenj që rrinin rreth Tatjanës, vajzës së Jelcin. Berezovski mendonte se do ta komandonte. Por ishte gabuar.

Ish oficeri i shërbimit të jashtëm të KGB me dorë të hekurt shtypi kryengritjen çeçene. Ju hoqi autonominë rajoneve. Nuk bën pakte me terroristët pavaësisht jetëve njerëzore të humbur në teatrin Dubrovka te Moskes dhe shkollën e Beslan. Një Car i ri kishte ardhur në kremlin.

Putin është një kombinim i Ivanit të tmerrshëm sa i takon mospërfilljes për jetët njerëzore kur këto i duhen për qëllimin; i Pjetrit të madh kur i duhet të rindërtojë Rusinë dhe i Stalinit sa i takon qëndrimit ndaj të shkuarës dhe vizionit gjeopolitik. Si i tillë nuk mund të bëjë përjashtim në armët që përdor. Janë ato ku është mbështetur në mijëvjeçarë Rusia: Ushtria dhe shërbimet sekrete. Në këtë kuadër lancon një plan dhjetëvjeçar prej 200 miliard dollarë për modernizimin e ushtrisë. Kjo përveç buxhetit vjetor. Ndërkohë ndërhyn në Gjeorgji dhe së fundmi në Ukrainë duke aneksuar Krimenë. Siria është hapi i fundit i tij. Rusia nuk po le cep te globit pa qene aktive.

Gjithë këtë kohë shërbimet perëndimore nuk rreshtin së përmenduri aktivizimin e agjenturës Ruse. Nëse rastet e Aldrich Ames e me vonë Ana Chapman ngjanin si raste sporadike, gjithmonë e më shumë me kalimin e kohës shërbimet e specializuara perëndimore sinjalizonin rritjen e aktivitetit të agjenturës ruse. Por këtë rradhe e kombinuar edhe me spiunazhin elektronik. Akuzat arrijnë deri në ndërhyrjen në zgjedhjet presidenciale në Shtete e Bashkuara.

Nëse rasti i Hillari dhe ndërhyrja e operativëve rusë është dicka mes ficton dhe realitet, në vendet e lindjes vihet re një rritje e ndikimit të Moskës. Disa e komentojnë me afërinë mes sllavëve. Të tjerë me dëshirat autoritariste të udhëheqësve lindorë. Dhe të tjerët me afërsinë e trashëguar ideologjike që kanë pasardhësit e komunistëve për ish atdheun e komunizmit. Të gjitha këto nuk është çudi të kalojnë edhe në filtrin e shërbimeve sekrete ku rusët kanë qenë gjithmonë profesionistë shumë të zotë.

Ndërkohë Britania e Madhe është një shesh beteje i FSB, trashegimtarja e KGB. Që nga rasti i vrasjes me polonium të dezertorit Litvinenko; vetvrasja e dyshimte e opozitarit të Putin, Berezovskit; rasti Skripal, dhe deri diten e djeshme me rastin Glushkov, shërbimi sekret rus tregon se fjalët ndaj tij nuk janë vetëm legjenda urbane apo luftë mediatike.

Dhe ja ku vijmë në teatrin shqiptar.

A është Shqipëria një vend që ndjell orekset e Moskës? Kjo vështirë të thuhet. Një raport kosto-përfitim për ndërhyrje në zhvillimet shqiptare nuk është shumë rentabël. Shqipëria ka peshë të vogël në teatrin Ballkanik krahasuar me Serbinë apo Bullgarinë që kanë popullsi dhe peshë politike më të madhe.

Ndërkohë në kohën e protestave të PD përpara zgjedhjeve u fol për praninë e agjenturës ruse në Tiranë. Ky fakt u hodh poshtë nga ambasada e tyre.

Por kush janë asetet që mund të bashkëpunojnë me Rusinë?

Aktualisht akuzat janë mbledhur mbi shefin e demokratëve Lulzim Basha dhe një financim që mund të ketë pasur ai nga një shoqëri e komanduar nga dy ish oficerë të FSB. Por nuk mungojnë as akuzat e krahut tjetër që e cilëson Partinë socialiste si pasardhëse të komunistëve edhe më të predipozuar për flirte me Rusinë.

Cila është e vërteta. Kjo vështirë të thuhet. Sepse është një betejë e cila e gjitha zhvillohet nën tokë dhe ajo që shikon publiku rrallëherë është e vërteta.

Përgatiti Dritan Hila

EMISIONET